Një 67-vjeçar nga Arizona u arrestua pasi dyshohet se u soll në mënyrë agresive gjatë një fluturimi të kompanisë American Airlines, duke detyruar avionin të devijonte nga itinerari dhe të kryente një ulje emergjente në Baltimore.
Sipas Policisë Shtetërore të Merilendit, Arthur Ludin u arrestua pasi avioni u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Baltimore/Washington. Gjatë incidentit, ai u lidh në sediljen e tij me shirit ngjitës, ndërsa duart iu lidhën me zinxhirë.
Incidenti ndodhi në fluturimin AA 618, i cili ishte nisur nga Dallas me destinacion Newark, sipas FBI-së dhe American Airlines.
Një prej pasagjerëve, Juan Mejia, ish-oficer i zbatimit të ligjit, tha se situata u tensionua rreth tre të katërtat e fluturimit. Sipas tij, 67-vjeçari nisi të ofendonte stafin e kompanisë dhe pasagjerët e tjerë, duke përdorur gjuhë fyese dhe raciste, si dhe komente fyese ndaj disa grave që ndodheshin në rreshtin pas tij.
Mejia dhe pasagjeri tjetër, Richard Olenick, thanë se ndërhynë pasi Ludin u bë fizikisht agresiv. Avioni devijoi në Aeroportin Ndërkombëtar Baltimore/Washington rreth orës 22:15, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), e cila po heton gjithashtu incidentin.
Dy pasagjerët që ndërhynë thanë se qëndruan pranë 67-vjeçarit derisa oficerët e policisë hipën në avion dhe e morën atë në paraburgim.
Pas arrestimit të Ludin, fluturimi vijoi normalisht drejt Newark, njoftoi American Airlines.
67-vjeçari u akuzua për sjellje të pahijshme dhe sulm të shkallës së dytë për incidentet e ndodhura në bordin e avionit, sipas Policisë së Autoritetit të Transportit të Maryland.
Hetimi për incidentin gjatë fluturimit vijon nga FBI-ja.







