Ballina Europë Kaos në Britaninë e Madhe/ 300 persona të maskuar bllokojnë portin e...

Kaos në Britaninë e Madhe/ 300 persona të maskuar bllokojnë portin e Doverit: Mjaft me emigrantët!

69
0

Qindra burra me maska që u mbulojnë fytyrën dhe të veshur me të zeza kanë bllokuar që prej mëngjesit portin dhe akset kryesore rrugore të Doverit në Mbretërinë e Bashkuar. Ende nuk është e qartë se kush janë dhe kundër çfarë po protestojnë, por pamjet janë mjaft të forta: qyteti është paralizuar dhe trafiku drejt dhe nga Anglia është bllokuar.

Në këtë zonë kalojnë zakonisht rreth 25 mijë automjete në ditë, në të dyja drejtimet. Tani, pushuesit dhe kamionët kanë mbetur në radhë të pafundme, ndërsa përpiqen të arrijnë në portin më të ngarkuar të trageteve në Mbretërinë e Bashkuar, mes kaosit që nisi mëngjesin e sotëm.

Këshilltari bashkiak John Baker, nga Reform UK, partia e Nigel Farage, deklaroi për The Sun se beson se bëhet fjalë për një protestë kundër emigrantëve, të lidhur me sloganin “Stop the boats” (“Ndaloni varkat”), që i referohet mbërritjes së emigrantëve të parregullt në Britani. Megjithatë, protestuesit ende nuk janë shprehur për motivet e tubimit dhe nuk mbajnë as pankarta apo banderola.

Mike Tapp, deputeti laburist për Dover dhe Deal, e kritikoi ashpër grupin, duke i cilësuar pjesëmarrësit si “idiotë që kanë ardhur në Dover për të shkaktuar trazira”.

Disa pushues kanë treguar se kanë parë protestues “duke u goditur nga automjetet”, ndërsa turma mblidhej në rrugët përreth portit. Njëri prej tyre tregoi se autobusi me të cilin po udhëtonte ishte ndaluar nga grupi, duke bërë të pamundur që pasagjerët të hipnin në tragetin me destinacion Francën.

Policia e Kentit po përpiqet të negociojë me protestuesit, të cilët kanë organizuar një tubim të papritur dhe të paautorizuar. Një shofer i bllokuar i tha Kent Online: “Do të thosha se janë rreth 300 burra, ndoshta edhe më shumë. Kanë bllokuar çdo hyrje dhe çdo dalje të zonës së portit të Doverit, ndërsa është bllokuar edhe Jubilee Way. Kjo do të shkaktojë vonesa të mëdha për tragetet gjatë ditës së sotme”.

Autoritetet e portit të Doverit konfirmuan se në qytet “po zhvillohet një incident që po cenon rendin publik”. Doveri dhe veçanërisht plazhet e Kentit janë ndër zonat ku mbërrin pjesa më e madhe e emigrantëve të parregullt që kalojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Për situatën reagoi edhe Nigel Farage. Duke folur mëngjesin e sotëm gjatë konferencës së partisë së tij Reform UK në Birmingham, ai tha: “Nuk i miratoj njerëzit e maskuar që shfaqen dhe protestojnë, kudo që të ndodhë dhe cilado qofshin arsyet e tyre”.