Ballina Aktualitet Pagat e magjistratëve, Kushtetuesja i pret shkurt diskutimet: Vendimi ynë është përfundimtar...

Pagat e magjistratëve, Kushtetuesja i pret shkurt diskutimet: Vendimi ynë është përfundimtar dhe i detyrueshëm

69
0

Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me diskutimet e fundit për pagat e magjistratëve, duke iu referuar vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, përmes të cilit ka përcaktuar standardin kushtetues që duhet të zbatohet për këtë çështje.

Në një sqarim publik, Gjykata thekson se vendimi i saj duhet të lexohet dhe të zbatohet në tërësinë e tij, si në pjesën arsyetuese, ashtu edhe në dispozitiv. Sipas Kushtetueses, të dyja këto pjesë përbëjnë qëndrimin zyrtar të saj për çështjen e shqyrtuar dhe duhet të merren në konsideratë në zbatimin e vendimit.

Kushtetuesja rikujton gjithashtu se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Sipas saj, respektimi i tyre është një kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe lidhet ngushtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike.

Një pjesë e rëndësishme e sqarimit lidhet me mënyrën e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata sqaron se mënyra se si ajo administron pagat e veta, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të përdoret si bazë për të përcaktuar efektet juridike të vendimit nr. 15. Po ashtu, administrimi i brendshëm i pagave të saj nuk ndryshon detyrimet që burojnë nga vendimi për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Vendimi nr. 15, i datës 17 shkurt 2026, u mor pas kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë lidhur me mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve.

Gjykata arriti në përfundimin se ishin të nevojshme ndryshime ligjore për përshtatjen e pagës së magjistratëve me standardet kushtetuese. Për këtë arsye, Kuvendit iu la afat deri më 31 korrik 2026 për të ndërmarrë ndërhyrjet përkatëse ligjore.

Sqarimi i Kushtetueses vjen në një kohë kur zbatimi i këtij vendimi dhe mënyra e ekzekutimit të pagave të magjistratëve kanë shkaktuar diskutime publike.

Në njoftimin e saj, Gjykata Kushtetuese përcjell një mesazh të qartë: mënyra e administrimit të fondeve dhe pagave brenda vetë institucionit nuk mund të interpretohet si përcaktuese për detyrimet që vendimi nr. 15 ka vendosur për autoritetet e tjera përgjegjëse për zbatimin e tij.