Ballina Opinion Shqipërisë i duhet një transformim rrënjësor kushtetues dhe politik, jo më lider...

Shqipërisë i duhet një transformim rrënjësor kushtetues dhe politik, jo më lider partish NJËSH dhe “Misionar”

28
0

Nga Oerd Bylykbashi 

Protestat e studentëve po shpërthejnë digën e fundit të tranzicionit, që rrjedhën e lirë të demokracisë e ka kthyer në kënetën e autokracisë. Regjimi dhe sistemi antikushtetues i Edi Ramës duhet të rrëzohet patjetër!

Por nuk mjafton të ndryshojë qeveria. Duhet të ndryshojë sistemi kushtetues, ligjor, institucional, por edhe realiteti politik që lejon përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu, dobësimin e institucioneve dhe vënien e shtetit në shërbim të partisë në pushtet.

Shqipërisë i duhet një transformim kushtetues, institucional dhe politik që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si fitohet, ushtrohet, kontrollohet dhe humbet pushteti.

Duhet bërë e pamundur kapja e pushteteve nga Kryeministri, Presidenti apo cilido NJËSH. Për këtë duhet të riprojektohen ndarja e pushteteve dhe mekanizmat kushtetues të kontrollit e balancës, në mënyrë që qeveria të mos imponohet mbi pushtetet e tjera dhe institucionet e pavarura.

Asnjë individ dhe asnjë parti nuk duhet të ketë mundësinë të përqendrojë në duart e veta pushtetin politik, institucionet e shtetit dhe mekanizmat që duhet ta kontrollojnë atë.

Duhet demokratizuar rrënjësisht funksionimi i partive politike. Kolegjialiteti duhet të dominojë mbi pushtetin e NJËSHIT. Kryetarët e partive duhet të kenë mandate të kufizuara dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe dështimet politike. Koncepti i vjetëruar i liderit me mision e të pazëvendësueshëm duhet të marrë fund e të zëvendësohet nga ai i kryetarit me mandat dhe llogaridhënie. Duhet të garantohet qarkullimi demokratik në drejtimin e partive politike, duke siguruar sinergjinë mes përvojës dhe ripërtëritjes së lidershipit.

Partitë politike kanë rol kushtetues në formimin e politikave dhe përfaqësimin politik, ndaj duhet të detyrohen me ligj të garantojnë mekanizma demokratikë të vërtetë, transparentë e të verifikueshëm për zgjedhjen e organeve drejtuese dhe përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhje, duke mbrojtur autonominë e tyre të brendshme nga ndërhyrja e shtetit. Demokracia nuk mund të funksionojë në shtet nëse mungon brenda partive që synojnë të qeverisin.

Duhet shfuqizuar sistemi zgjedhor parlamentar i vitit 2020, që Rama e bëri bashkë me “Kërpëratën” e atyre që mbajtën mandatet e opozitës në vitin 2019.

Sistemi i ri duhet të riprojektohet nga themeli, me konsensus e transparencë, jo si arnim i atij ekzistues, siç u bë në vitin 2024. Ai duhet të sigurojë proporcionalitet kombëtar në shpërndarjen e mandateve dhe, brenda këtij parimi, të integrojë zgjedhjen e personalizuar të deputetëve drejtpërdrejt nga qytetarët, qoftë përmes garave në zona njëemërore, qoftë përmes listave të hapura.

Sistemi duhet të garantojë pluralizmin në Parlament dhe të krijojë kontrolle e balanca politike e kushtetuese mbi Kryeministrin, duke penguar krijimin e shumicave parlamentare artificiale që mundësojnë përqendrimin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe kontrollin e organeve të pavarura nga një parti e vetme.

Kontrolli parlamentar dhe roli i opozitës në këtë kontroll duhet të jenë efektivë dhe të garantuar.

Parlamenti nuk duhet të jetë noter i qeverisë. Një ligj nuk mund të miratohet sa hap e mbyll sytë (edhe kur ka mbi 200 nene). Procesi legjislativ duhet të jetë i kujdesshëm, transparent dhe përfshirës ndaj grupeve të interesit. Duhet të forcohet roli dhe pesha e deputetit të zgjedhur nga populli në procesin ligjvënës, përballë qeverisë, por edhe përballë partisë së tij.

Deputeti duhet të përfaqësojë qytetarët dhe jo thjesht të zbatojë urdhrat e kryetarit të partisë apo grupit parlamentar. Mandati imperativ ndalohet nga Kushtetuta.

Duhet reformuar rrënjësisht kuadri aktual ligjor për referendumet, i miratuar njëanshmërisht nga PS në vitin 2000, i cili në praktikë ka penguar ushtrimin efektiv të demokracisë së drejtpërdrejtë. Që nga miratimi i Kushtetutës në vitin 1998, Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë referendum popullor.

Organizimi i referendumeve duhet të thjeshtohet rrënjësisht dhe të forcohet e drejta e nismës popullore. Qeveria dhe Parlamenti duhet të kuptojnë se sovraniteti i përket popullit, jo vetëm me fjalë.

Qytetarët duhet të kenë mundësinë reale që, përmes referendumit, të vendosin për çështje të rëndësishme me interes publik ose të shfuqizojnë ligjet e shumicës parlamentare, pa qenë të varur nga vullneti politik i qeverisë apo i Parlamentit.

Vendimet e marra me referendum duhet të kenë efektet juridike të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe në ligj, duke respektuar kompetencat e institucioneve dhe garancitë e demokracisë përfaqësuese.

Kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda garancive kushtetuese që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e pakicave.

Kështu politika do të detyrohet të matet më shumë përpara qytetarëve.

Duhet ndryshuar sistemi i zgjedhjes së kryetarëve të bashkive. Nuk duhet të vazhdojë sistemi ku kryetar zgjidhet kandidati me thjesht më shumë vota se rivalët, edhe kur merr vetëm 30–35% të tyre. Kryetari i bashkisë duhet të zgjidhet me më shumë se 50% të votave. Ai duhet të jetë kryetari i qytetarëve të bashkisë, jo thjesht përfaqësuesi i partisë që ka marrë më shumë vota.

Duhet ndryshuar sistemi i zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë. Listat e mbyllura duhet të zëvendësohen me lista të hapura, ku këshilltarë zgjidhen kandidatët që marrin më shumë vota nga qytetarët.

Këshilli bashkiak duhet të fuqizohet për të kontrolluar realisht kryetarin e bashkisë dhe për të frenuar abuzimin me pushtetin, nën pretendimin se ai është zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

Duhet të rikthehet decentralizimi i pushtetit dhe të forcohet subsidiariteti (pushteti të ushtrohet sa më pranë zgjedhësve), duke zhbërë centralizimin aktual, ndërkohë që duhet hapur perspektiva e zhvillimit rajonal sipas modelit europian. Demokracia lokale është faktor balancues dhe stabilizues i funksionimit demokratik.

Duhen garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë duhet të ndahet shteti nga partia në pushtet dhe nga krimi. Shteti duhet t’i shërbejë publikut në mënyrë neutrale, jo atyre që janë në pushtet apo klasës politike.

Duhet të ndalohet me ligj patronazhimi politik i shtetasve nëpërmjet shtetit dhe të ndëshkohet abuzimi i partisë në pushtet:

* me administratën publike, e cila duhet të depolitizohet rrënjësisht;

* me pushtetin për të miratuar ligje favorizuese;

* me pushtetin për të shpërndarë buxhetin publik përmes tenderave, PPP-ve dhe mekanizmave të tjerë;

* me pushtetin për të ofruar apo kushtëzuar shërbimet publike;

* me pushtetin për të përdorur inspektoratet për ndëshkim ose favorizim;

* me pushtetin për të përdorur të dhënat shtetërore të qytetarëve për t’i profilizuar dhe targetuar politikisht;

* me pushtetin për të zhvilluar propagandë qeveritare me paratë publike.

Duhet transparencë e plotë e financimit dhe lobimit politik. Korrupsioni dhe financimi i paligjshëm oligarkik apo kriminal i partive politike janë si metastazat në sistemin limfatik të demokracisë: infektojnë të gjithë trupin e shtetit dhe të shoqërisë.

Duhet ndarë shteti nga krimi. Kjo nuk arrihet pa ndarë shtetin nga partia dhe pa eliminuar kapjen e shtetit nga një dorë e vetme.

Ka ardhur koha për Dekriminalizim 2.0. Jo vetëm personat e dënuar për krime, por edhe ata që kanë lidhje të provuara me krimin e organizuar, që mbështeten prej tij apo kërkojnë mbështetjen e tij, nuk duhet të kenë mundësi të zgjidhen apo emërohen në institucione kushtetuese ose publike. Kufizimet duhet të mbështeten në kritere të qarta ligjore, prova të verifikueshme, proporcionalitet, garanci të procesit të rregullt dhe kontroll gjyqësor.

Parlamenti dhe deputetët duhet të jenë shembull i integritetit, dijes, etikës dhe angazhimit publik, jo i injorancës, servilizmit puthador apo thjesht i votës së marrë pa skrupull moral e ligjor.

Përqendrimi i pakontrolluar i pushtetit është porta që i hap rrugën krimit deri në majat e shtetit. Ai krijon gjithashtu mundësi që fuqi armiqësore, nëpërmjet korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe sigurinë e NATO-s.

Duhet që drejtësia të jetë realisht e pavarur nga qeveria dhe nga çdo ndikim politik. Gjykatat duhet të jenë të pavarura nga çdo ndikim i qeverisë, prokurorisë dhe aktorëve të tjerë politikë apo institucionalë. Prokuroria duhet të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe çdo ndikim politik.

Askush nuk duhet të gëzojë imunitet ligjor apo faktik për shkak të pushtetit që zotëron ose presionit që mund të ushtrojë mbi drejtësinë.

Gjykatat civile duhet të japin drejtësi të shpejtë, profesionale, të paanshme dhe të pakorruptuar. Pas dhjetë vitesh reformë në drejtësi, nuk mund të pranohet që një çështje gjyqësore, për të cilën para reformës duheshin 3–4 vjet, sot të kërkojë deri në 16 vjet për t’u përfunduar.

Duhet pastruar në mënyrë kapilare Policia e Shtetit, nga maja deri në rrënjë, nga drejtues dhe efektivë të politizuar apo të përfshirë në veprimtari kriminale, nga ata që kanë dhunuar të drejtat e qytetarëve në protesta për interesa politike apo kanë mbrojtur krimin.

Ky vetting duhet të bëhet me mekanizma ligjorë, hetim, verifikim dhe përgjegjësi individuale. Policia e Shtetit duhet të kthehet nga polici e Kryeministrit dhe e pushtetit, në polici të qytetarit dhe komunitetit.

Duhet që shteti të jetë i drejtë me qytetarin. Një administratë profesioniste duhet të zgjidhë problemet dhe të ofrojë shërbime publike të paanshme, pa i detyruar qytetarët të përplasen me shtetin në konflikte të gjata gjyqësore.

Kjo është alfa e luftës kundër korrupsionit. SPAK duhet të jetë hallka dhe instrumenti i fundit i reagimit penal, jo zëvendësuesi i një shteti që duhet të funksionojë me ligj, profesionalizëm dhe integritet në çdo nivel.

Duhet garantuar realisht prona private përballë pushtetit shtetëror dhe interesave oligarkike. Pronari privat nuk duhet të jetojë me frikën e shtetit apo të oligarkut të shpallur investitor strategjik.

Prona duhet të fitojë siguri të plotë juridike që të shndërrohet në mjet të fuqishëm zhvillimi ekonomik.

Duhen shlyer pa vonesë borxhet morale dhe ligjore ndaj:

* Ish-të përndjekurve politikë. Drejtësia për krimet e komunizmit nuk mund të konsiderohet çështje e mbyllur. Autorët e krimeve kundër njerëzimit, kur ekzistojnë kushtet ligjore dhe provat, duhet të përballen me drejtësinë.

* Pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist. Prona duhet t’u kthehet ose të kompensohet plotësisht, në mënyrë të drejtë dhe efektive.

Duhet garantuar liria ekonomike, liria e sipërmarrjes, barazia dhe konkurrenca e lirë e reale. Oligarkëve duhet t’u priten fijet e kontrollit ekonomik dhe të ndikimit të privilegjuar mbi vendimmarrjen shtetërore. Ekonomia nuk duhet të jetë privilegj i atyre që kanë lidhje me pushtetin.

Arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale janë shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të një shoqërie të drejtë. Investimi në to forcon kapitalin njerëzor, kohezionin shoqëror dhe të ardhmen e Shqipërisë, ndërsa mbrojtja sociale dhe pensionet e denja garantojnë siguri dhe dinjitet për çdo brez.

Duhet reformë që media të fitojë pavarësi reale editoriale, duke u mbrojtur nga ndikimi i interesave ekonomike të pronarëve në marrëdhëniet e tyre me qeverinë.

Gazetarët duhet të kenë garanci ligjore, profesionale dhe ekonomike që t’i mbrojnë nga presioni, censura dhe vetëcensura. Pa media të lirë nuk mund të ketë kontroll demokratik të pushtetit.

Duhet një kornizë e re ligjore dhe institucionale për Diasporën, që të mundësojë tërheqjen e dijes, përvojës, kapitalit njerëzor dhe investimeve të shqiptarëve jashtë vendit.

Diaspora, që përbën pothuaj gjysmën e rreth 4,7 milionë shtetasve shqiptarë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, është një nga “pasuritë” dhe fuqitë më të mëdha kombëtare. Shqipëria duhet të ofrojë mundësi që shqiptarët të kthehen me dëshirë në atdhe.

Duhet të garantohet vota e Diasporës, e lirë dhe e mbrojtur nga manipulimi, të mbrohet përfaqësimi politik, si dhe mundësia për të kontribuar dhe investuar në ekonominë shqiptare, me akses të barabartë, konkurrencë të ndershme, pa korrupsion, pengesa dhe diskriminim.

Shqipërisë nuk i mjafton ndryshimi i qeverisë. Duhet një rend kushtetues dhe politik ku asnjë individ, parti apo grup interesash të mos ketë mundësi të kapë shtetin; ku sovraniteti i popullit të jetë pushtet real dhe jo deklarim formal; ku institucionet t’i shërbejnë qytetarit, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet.

Shënim: Kjo nuk është një listë shteruese. Është kredo dhe qëndrim personal publik, politik dhe qytetar.

Nuk pretendoj se këto ndryshime janë të lehta. Por jam i bindur se pa to, ndryshimi i qeverive nuk do të mjaftojë në afat të gjatë për të ndryshuar mënyrën se si funksionon shteti.

Në çdo rast, ky transformim fillon me largimin e regjimit autokratik të Edi Ramës, zgjedhje që sigurojnë legjitimitetin e Parlamentit dhe frymë kompromisi për zbatimin e projektit më të madh kombëtar: integrimin sa më shpejt në BE.