Ballina Kuriozitete E pazakontë në Poloni, robotët dalin në protestë kundër inteligjencës artificiale

E pazakontë në Poloni, robotët dalin në protestë kundër inteligjencës artificiale

35
0

Një protestë e pazakontë është zhvilluar në Poloni, ku rreth 30 robotë u shfaqën para Ministrisë së Politikës Digjitale, duke kërkuar që përdorimi i inteligjencës artificiale në botën e punës të jetë i kontrolluar dhe i rregulluar.

Robotët, të shoqëruar nga aktivistë që mbanin flamuj dhe brohorisnin slogane, lëvizën përgjatë sheshit përpara ministrisë. Mes tyre kishte robotë humanoidë me dy këmbë, por edhe modele me katër këmbë që ngjanin me qen.

Nëpërmjet altoparlantëve dëgjoheshin thirrje si: “Të mbrojmë vendet e punës”, “Ka ardhur koha të vendosen rregulla” dhe “Mos prisni, rregullojeni tani”.

“Robotët janë këtu për të treguar se kjo teknologji është tashmë një realitet”, tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) roboti humanoid Agibot A3, një prej robotëve të pranishëm në protestë.

Protesta u organizua nga iniciativa Democratism, me synimin për të hapur një debat mbi pasojat sociale dhe ekonomike të automatizimit të nxitur nga inteligjenca artificiale.

Organizatori Grzegorz Kulis tha se një nga shqetësimet kryesore është mundësia që njerëzit të zëvendësohen në të ardhmen nga robotët humanoidë dhe sistemet e inteligjencës artificiale, veçanërisht në profesionet që lidhen me punën intelektuale.

“Nëse një robot i tillë është disa herë më efikas dhe më i lirë, shumë pak drejtues kompanish do të thonë: ‘Do të vazhdoj të punësoj njerëz’”, u shpreh Kulis.

Ai, i cili punon si drejtues i teknologjisë së informacionit në një kompani robotike dhe ka përvojë edhe në fushën e punësimit dhe politikave të tregut të punës, tha se është “i frikësuar” nga ndryshimet teknologjike që mund të ndikojnë në mënyrën se si organizohet shoqëria dhe tregu i punës.

Ministri viziton protestën

Protesta u vizitua edhe nga ministri polak i Politikës Digjitale dhe Qeverisjes, Krzysztof Gawkowski.

“Modelet e pakontrolluara të inteligjencës artificiale, të integruara në robotë humanoidë që do të vazhdojnë të zhvillohen paralelisht me përparimin e robotikës, përbëjnë një problem madhor”, deklaroi ministri.

Në korrik, presidenti konservator dhe nacionalist i Polonisë, Karol Nawrocki, nënshkroi dokumentin qeveritar për zbatimin e rregullores së Bashkimit Evropian për inteligjencën artificiale, të njohur si AI Act.

Rregullorja parashikon krijimin e një autoriteti kombëtar përgjegjës për zbatimin e rregullave evropiane për inteligjencën artificiale, të cilat tashmë kanë hyrë zyrtarisht në fuqi.