Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli një tender me vlerë 2.1 miliardë lekë ose rreth 22.6 milionë euro për rinovimin e sheshit Nënë Tereza në Tiranë dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor poshtë tij.
Kontrata me “çelësa në dorë” ka një afat prej 26 muajsh, tha FSHZH në dokumentet e tenderit të paraqitur në portalin e prokurimit elektronik.
Sipas dokumentave, gara do të zhvillohet në datën 9 tetor, kur FSHZH do të hapë ofertat e kompanive pjesëmarrëse në tender.
“Ndërhyrja propozon riorganizimin hapësinor të Sheshit Nënë Tereza përmes transformimit të kontrolluar të kuotës së tij horizontale dhe krijimit të një niveli të ri publik në kuotën –4.00 m. Koncepti shmang vendosjen e volumeve të theksuara mbi tokë dhe e zhvillon programin kryesisht në nëntokë, me synim ruajtjen e vazhdimësisë urbane, perceptimit monumental dhe karakterit të hapur të sheshit,” thuhet në projekt.

Sheshi i poshtëm në nivelin -4.00 do te aksesohet përmes dy rampave dhe dy shkallëve të mëdha, të organizuara sipas konceptit arkitektonik. Sheshi i poshtëm në këtë nivel mundëson shpërndarjen e vizitoreve nëpër të gjitha hapësirat funksionale të parashikuara si bar restoranti, Kapela e Nëne Terezës si dhe holli i muzeut arkeologjik. Po ashtu përmes këtij sheshi, vizitorët do të mund të aksesojnë parkimin nëntokësore, përmes 4 kollonave të shkallëve dhe ashensorëve të dedikuar, të pozicionuar në 4 cepat e hapësirës.

Elementi qëndror i ndërhyrjes është krijimi i një sheshi publik të zhytur, të organizuar në një kuotë të ndërmjetme nën nivelin ekzistues të Sheshit Nënë Tereza.
“Me një sipërfaqe prej afërsisht 700 m², integrimi i një kapeleje kushtuar Nënë Terezës përfaqëson një ndërhyrje me rëndësi të veçantë simbolike, kulturore dhe shpirtërore. Kapela pasuron identitetin e një prej hapësirave publike më përfaqësuese të kryeqytetit, duke krijuar një vend të dedikuar për reflektim, meditim dhe qetësi.

Sipas, dokumentave brenda sheshit do të ketë edhe një restorant.
“Një sipërfaqe prej afërsisht 340 m² është dedikuar funksioneve të shërbimit ushqimor dhe gastronomik. Integrimi i një bar-restoranti brenda sheshit të zhytur krijon përfitime të rëndësishme urbane, sociale dhe ekonomike, duke e transformuar hapësirën nga një mjedis kryesisht kalimtar në një destinacion aktiv gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes,” thuhet në projektin arkitektonik.







