Në vitin 2025, Mali i Zi regjistroi produktivitetin më të lartë të punës në rajon, me 31.1 dollarë në dollarë ndërkombëtarë për orë pune, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 30.4 dollarë, ndërsa Serbia qëndroi në 29.8 dollarë.
Bosnja dhe Hercegovina regjistroi 26.3 dollarë, ndërsa Shqipëria u rendit e fundit me 18.7 dollarë në orë, një rënie prej 4.1% krahasuar me vitin e kaluar. Mesatarja globale ishte 23.3 dollarë në orë.
Shifrat matin vlerën ekonomike të gjeneruar për orë pune dhe jo fitimet e punëtorëve. ILO llogarit produktivitetin e punës duke krahasuar produktin e brendshëm bruto me numrin total të orëve të punuara nga të punësuarit, duke përdorur dollarë ndërkombëtarë të rregulluar sipas paritetit të fuqisë blerëse për të mundësuar krahasimet midis vendeve.
Kosova nuk është përfshirë në të dhënat krahasuese të ILO-s, megjithëse analizat e Bankës Botërore tregojnë se produktiviteti i saj i punës ra me rreth 1.4% në vitin 2023, pas një rënieje prej 1.1% në vitin 2022 dhe një rritjeje modeste prej 0.4% në vitin 2021.
Renditja e fundit e Shqipërisë me diferencë të madhe nga vendet e ngjashme tregon natyrën primitive të ekonomisë shqiptare, e cila bazohet tërësisht tek sektorët me vlerë të ulët si turizmi apo shërbimet e tjera dhe nuk ka pothuajse fare industri apo aktivitete të tjera ekonomike, që gjenerojnë vlerë të lartë ekonomike. Kjo situatë përvecse frenon rritjen ekonomike, mban nivele të ulëta pagash për punonjësit dhe familjet.
Ekspertët tregojnë investimet në teknologji, dixhitalizimin, arsimin, aftësitë profesionale, inovacionin dhe pajisjet moderne si faktorë kyç që mund të përmirësojnë produktivitetin në të gjithë rajonin. Menaxhimi më i mirë, një mjedis më i fortë biznesi dhe lëvizja e punëtorëve në sektorë me vlerë të shtuar më të lartë konsiderohen gjithashtu të rëndësishme.
Nivelet relativisht të ulëta të produktivitetit nxjerrin në pah një sfidë më të gjerë për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: rritjen e prodhimit ekonomik pa u mbështetur thjesht në orë më të gjata pune. Për vendet që kërkojnë rritje më të fortë dhe paga më të larta, përmirësimi i produktivitetit do të jetë thelbësor për rritjen e vlerës së gjeneruar nga fuqia e tyre punëtore.







