Ballina Opinion Magjistratët në sprovën finale

Magjistratët në sprovën finale

114
0

Nga Desada Metaj

Në Shqipëri, pushteti nuk e shpall më hapur luftën ndaj drejtësisë. Nuk ka nevojë. Ia mban pagën pezull, ia kthen Kushtetutën në shkresë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese në opinion dhe pavarësinë në luks buxhetor. Pastaj del dhe e quan këtë “zgjidhje institucionale”.

Kjo është forma më e rafinuar e nënshtrimit: jo me pranga, por me bordero. Jo me dekret, por me Thesar. Jo duke i thënë drejtësisë “mos fol”, por duke i kujtuar se zëri i saj kalon nga arka e qeverisë.

Prandaj beteja e magjistratëve nuk është betejë për rrogën. Rroga është vetëm vendi ku pushteti ka vendosur t’i kapë për fyti. Thelbi është tjetër: a ka Shqipëria një pushtet gjyqësor që mbron Kushtetutën, apo një trupë magjistratësh që presin urdhrin e pagesës për të kuptuar sa të pavarur lejohen të jenë?

Vetëm 70 kilometra larg, në Itali, magjistratët e kuptuan në kohë se kur politika prek arkitekturën e drejtësisë, nuk po bën debat teknik, por po mat rezistencën e një pushteti. Dhe iu përgjigjën si pushtet. Në Shqipëri, tani është radha e magjistratëve tanë të tregojnë nëse janë pushtet, apo thjesht institucion me vulë, protokoll dhe frikë.

Kur qeveria Meloni–Nordio çoi drejt referendumit konfirmues të marsit 2026 reformën për ndarjen e karrierave, ajo që fillimisht dukej si një debat teknik mbi arkitekturën e pushtetit gjyqësor u shndërrua shpejt në një përplasje të hapur institucionale dhe politike.

ANM-ja, organizata përfaqësuese e magjistratëve italianë, nuk u kufizua në deklarata paralajmëruese: më 27 shkurt 2025 shpalli grevë kombëtare, me 75–80% pjesëmarrje, organizoi manifestime në 29 qytete dhe, në janar 2026, krijoi zyrtarisht Komitetin referendar “Giusto Dire No” — një strukturë që, në thelb, e shndërroi trupin e vetëqeverisjes gjyqësore në një makineri fushate elektorale, me buxhet, mesazhe dhe koordinim qendror nga vetë Komiteti Qendror i ANM-së.

Përfundimi: “Jo”-ja fitoi me 53,5%. Magjistratët fituan. Politika humbi! Madje kjo është e vetmja humbje elektorale e Melonit në 4 vjet si kryeministre! Dhe këtë ia shkaktuan magjistratët.

Publiku italian votoi në mbështetje të magjistratëve. Magjistratët italianë jo vetëm që ruajtën statusin e tyre, por, mbi të gjitha, kaluan provën e fitimit të besimit të publikut.

E të mendosh se ajo çka ndodhi në Itali ishte një betejë që u zhvillua në një vend me kulturë shtetformimi dhe demokraci të stabilizuar prej kohësh. Në një vend anëtar dhe themelues të BE-së. Në një shoqëri të kalitur, në aspektin historik, kulturor, të artit dhe të politikës, si pak kush në botë.

Sot, 70 km në vijë ajrore nga Italia, në Shqipëri, po ndodh — akoma edhe më vrazhdë se në Itali — një sulm i drejtpërdrejtë dhe cinik i politikës kundër drejtësisë. Më shumë se kaq, është vendosja e shtetit në një test delikat, që teston vetë aftësinë shtetformuese tonën si shoqëri dhe të magjistratëve si përfaqësues të pushtetit gjyqësor.

Bllokimi, pa arsye, i pagave të magjistratëve i ka vënë këta të fundit në sprovën më të madhe që mund të kenë kaluar apo do të kalojnë ndonjëherë në jetën e tyre profesionale.

Magjistratët, me të drejtë, por edhe pa të drejtë, janë sharë, janë anatemuar si të korruptuar, abuzues, të papërgjegjshëm e me plot etiketime të tjera. Jo se etiketimet kanë qenë pa vend në shumicën e rasteve, por bashkë me të njomin ka shkuar edhe i thati. Për këtë arsye, në Shqipëri u aplikua një masë e jashtëzakonshme gijotine, siç ishte vetingu. Ishte edhe ai një test, për të parë se çfarë brumi njerëzor, profesional dhe institucional ishin magjistratët e atëhershëm. Historia tregoi se shumica iu nënshtruan vullnetit politik. Shumë prej tyre tashmë janë jashtë sistemit. Por ata që kanë mbetur pretendohet të jenë pjesa më e shëndoshë.

Tashmë këta magjistratë janë vendosur në një sprovë të re, të madhe, që tejkalon edhe interesat individuale të tyre.

Sigurisht, mungesa e pagave i prek ata drejtpërdrejt. Edhe ata kanë fëmijë për t’i çuar në shkollë, kredi për të paguar, fatura mujore dhe plot nga këto halle të përditshme të familjes shqiptare. Por më tepër se kjo, dëmi që po shkaktohet i bëhet interesit publik, shtetit të së drejtës, më saktë, vetë Republikës shqiptare.

Ajo çka po përvijohet nuk është thjesht një tekë e një personazhi si Rama, që vendosi të bllokojë pagat, pasi kishte harruar se kishte për të përmbushur një detyrim të Gjykatës Kushtetuese për miratimin e ligjit të ri të pagave. Kjo që po ndodh është përpjekja e qartë, e pastër, e pafiltruar për të nënshtruar pushtetin e drejtësisë ndaj ekzekutivit. Pa doreza diplomatike: “Mbreti jam unë, ju do të bëni siç dhe kur them unë.”

Pushteti gjyqësor dhe magjistratët sot janë në sprovë. Në sprovë nuk është vetëm stofi njerëzor dhe profesional i magjistratëve, aftësia e tyre kolektive për t’u organizuar, por, në njëfarë mënyre, edhe vetë suksesi i reformës në drejtësi. Tani do të verifikohet nëse ka prodhuar ajo, pas ndryshimeve të mëdha dhe vetingut, një trupë gjyqtarësh që të paktën të jetë e aftë të mbrojë veten e tyre — dhe, nëpërmjet saj, edhe themelet e ndarjes së pushteteve, pra vetë shtetin! Kjo është çështja dhe, për këtë, janë thirrur në fushëbetejë, pa dëshirën e tyre, magjistratët.

Kësaj beteje ata nuk mund t’i shmangen. Nëse ata nuk do të jenë të aftë të mbrojnë veten, çfarë mund të presin qytetarët nga padrejtësitë që u bën shteti, për të cilat shkojnë e paraqiten para gjyqtarëve e prokurorëve? Ndaj janë të detyruar të përplasen. Heshtja e tyre do të ishte edhe më e dëmshme.

Në një shtet normal, një betejë e tillë, e shkaktuar me faj nga politika dhe ku e drejta është me magjistratët, ajo çka pritet të ndodhë duhej të ishte lehtësisht e parashikueshme: zbythet Rama dhe fitojnë magjistratët. Kjo jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, jo vetëm sepse mazhoranca e Ramës kishte pasur gjithë atë kohë në dispozicion për të zbatuar vendimin e GJK-së, jo thjesht sepse e drejta, në këtë rast, është haptazi në krah të magjistratëve, por për një fakt tjetër: gjyqtarët dhe prokurorët janë bartës të një pushteti të barasvlefshëm, në aspektin kushtetues, me pushtetin e ekzekutivit. Madje, duke qenë se, në rastin e çdo konflikti, ata janë ata që flasin të fundit, del që kanë në dorë një pushtet edhe më të fortë se ai i Ramës.

Kështu e ka parashikuar Kushtetuta.

Por deri tani reagimi i magjistratëve ka qenë vetëm lëshimi i disa deklaratave me tone të matura. Edhe të ashpra, madje edhe profesionale, duhet thënë.

Ata kanë ndjekur rrugën institucionale, duke bërë thirrje ndaj qeverisë. Kanë hasur në refuzim dhe arrogancë prej saj. Por në deklaratat e tyre kanë premtuar se, nëse situata do të vazhdonte, do të ndërmerrnin hapa të tjerë përshkallëzues, qoftë me padi civile, qoftë me kallëzime penale.

E në fakt, për shumëkënd duket qartë — dhe kushdo e kupton — se, nga ana e qeverisë, keqpërdorimi i detyrës, pra shpërdorimi i detyrës, së paku, është flagrant. E kjo është vepër penale.

Por deri tani këta hapa, pra ndonjë kallëzim penal apo ndonjë përçapje tjetër, nuk është hedhur.

Është bërë një mbledhje e prokurorëve, thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm; është bërë një mbledhje e kryetarëve të gjykatave, thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë; dhe pritet një mbledhje e përgjithshme e gjyqtarëve të enjten. Por deri tani janë mbledhje pa bereqet. Sigurisht, është e dyshimtë nëse mund të mbajnë qëndrime të forta, deri dhe përplasje me qeverinë, nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i ka mbaruar mandati, apo ato të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, që disa ditë më parë u pa në krah të Kryeministrit. Mbase edhe nuk është kështu, por deri tani këto lëvizje janë më shumë “një vendnumëro” dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me premtimin e disa ditëve më parë për përshkallëzim të veprimeve.

Nga njerëzit e pretenduar si më të kualifikuarit në fushën e ligjit dhe të veshur me pushtet real, siç janë magjistratët, pritet shumë më tepër.

Nëse shkeljet e përfaqësuesve të qeverisë janë të tilla që kanë vend për kallëzim penal, ai duhet të ishte depozituar tashmë. Nëse ka qenë vendi për ndonjë përshkallëzim, si bllokimi i proceseve gjyqësore, deri dhe bojkot nga vetë magjistratët, ai duhet bërë si mjet kundër rrezikut që vjen nga qeveria — dhe jo thjesht të nxitet të bojkotojë administrata gjyqësore.

Ky pushtet duhet të sillet në mënyrë proporcionale me sjelljen agresive, në shkelje të Kushtetutës, që po bëjnë Rama dhe mazhoranca. Këta të fundit e kanë vendosur tashmë të mos e përfillin vendimin e Gjykatës dhe të caktojnë vetë se sa duhet të jetë paga e magjistratëve, pa iu përmbajtur standardeve kushtetuese. Në datën 17 shtator do të miratojnë ligjin, që nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Çështja është: po pushteti tjetër, ç’do të bëjë? Si do të reagojë? Kur? Do të heshtë apo do të dojë të përplaset frontalisht me qeverinë — jo për pagat, por për mbrojtjen e Kushtetutës?

Kushtetuta i ka dhënë mundësi magjistratëve, dhe e drejta e kërkon që magjistratët të reagojnë, të kundërpërgjigjen po me të njëjtën rreptësi, qëndresë, shpejtësi dhe proporcionalitet sa është edhe sulmi i qeverisë ndaj tyre. Dhe në kohën e duhur!

Reagimi i tyre duhet të jetë i qartë, në bllok, me akte konkrete institucionale, me Kushtetutën në dorë dhe të drejtën që e kanë me vete.

Nëse nuk do të ndodhë kështu, siç me shumë gjasë do të jetë, disa gjëra janë të sigurta:

* Reforma në drejtësi merr provën e madhe të dështimit të saj. Produkti i saj janë këta magjistratë gjysmakë, të tredhur, pa guxim kur iu shkelen të drejtat edhe vetë atyre.
* Nënshtrimi i tyre ndaj këtij kryeministri dhe kryeministrave të radhës, pra ndaj vetë politikës, merr vulën përfundimtare.
* Së treti, siç duket, kanë merituar gjithë kritikën dhe etiketimet e deritanishme nga publiku; bashkë me to, paskan merituar edhe vetë vetingun.

Nëse nuk do të jetë kështu, uroj që qoftë vetëm një herë të jetë kështu, magjistratët do t’i bëjnë ndoshta nderimin më të madh publikut shqiptar dhe vendit:

* do të rivendosnin ekuilibrat e prishur mes pushteteve;
* do të shiheshin si të paktën aleatë të publikut shqiptar, i cili, në mënyrën e vet, prej të paktën tre muajsh, ka dalë nga apatia dhe po kundërshton arrogancën e qeverisë, dhe po shfaqet ndryshe nga shoqëria pa nerv dhe pa moral që politika shqiptare ka dashur ta vizatojë;
* do të fitojnë pavarësinë e vërtetë, ndjesinë e bukur të ushtrimit të një pushteti në shërbim të qytetarëve;
* do të bëhen natyrshëm më të përgjegjshëm ndaj shoqërisë;
* do të hiqnin përfundimisht njollën që u është ngjitur si njerëz të korruptuar dhe amoralë, abuzues të pushtetit dhe të painteresuar ndaj interesit publik, siç ka dashur më së shumti t’i portretizojë politika;
* do të hapnin një epokë të re emancipimi publik dhe aftësie shtetformuese në Shqipëri;
* dhe shumë të tjera si këto, pa harruar që do të merrnin, sigurisht, pagat e merituara.

Nëse kjo nuk ndodh, siç ndodhi në Itali gjashtë muaj më parë, dhe nëse mazhorancës nuk i “thyhen turinjtë” me grushtin e ligjit, Kushtetutës dhe të së drejtës, sigurisht që publiku shqiptar humbet shumë: Kushtetuta kthehet në letër të zhubravitur dhe pushteti ekzekutiv do t’i nxjerrë ujë të zi sistemit të drejtësisë; humbasin edhe vetë magjistratët, kësaj radhe jo vetëm pagat, por edhe fytyrën.

Koha e kësaj beteje vjen shpejt. E enjtja, dita kur do të mblidhen magjistratët, mund të shndërrohet në një pikë takimi të rëndësishme me historinë e Shqipërisë dhe magjistratët e këtij vendi kanë rastin e vetëm të tregojnë një fytyrë dhe një faqe të re të tyre!

Nëse nuk e bëjnë, atëherë topin e merr Rama dhe magjistratët nuk do kenë parë asgjë akoma!