Analisti dhe publicisti Fatos Lubonja ka komentuar deklaratat e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke bërë një autopsi të ashpër politike dhe psikologjike të mënyrës se si Edi Rama po qeveris vendin.
I ftuar në nje studio televizive, Lubonja theksoi se aferat e njëpasnjëshme që po dalin në dritë janë realizimi më i frikshëm i vetë paralajmërimit të hershëm të kryeministrit se “nuk keni parë gjë akoma”.
Sipas analistit, qëndrimi i gjatë në pushtet dhe doza e perversitetit politik e kanë çuar vendin në një pikë ku skandalet e qeverisë kalojnë edhe parashikimet ose ëndrrat më të këqija.
Lubonja nëvizoi se Rama vuan nga sindroma e “narcizizmit malinj” dhe ajo e omnipotencës, simptoma që e bëjnë atë të besojë se është i paprekshëm nga drejtësia dhe plotësisht mbi ligjin.
Më tej, ai i cilësoi lëvizjet e fundit të ekzekutivit, përfshirë aferat e zbuluara me biznesmenin izraelit Roni Yeffet, si shfaqje të drejtpërdrejtë të kësaj mendësie absolute.
Sipas Lubonjës, veprime të tilla që shkelin çdo rregull e ligj nuk janë thjesht abuzime administrative, por shenja të qarta të një pushteti që vepron pa asnjë frenim moral apo institucional.







