Në mesin e shekullit të pestë para erës sonë, një burrë rreth të pesëdhjetave, i lodhur nga udhëtimet, përshkonte shtetet feudale të Kinës së lashtë. Ai mbante letra rekomandimi që princat i lexonin me mirësjellje dhe më pas i shpërfillnin. Nuk ishte gjeneral dhe as prijës lufte. Ishte mësues, me ide mbi virtytin, dhe në një botë të përfshirë nga luftërat, askush nuk ishte i interesuar për to.
Quhej Kong Qiu dhe historia do ta njihte si Konfuci, filozofi dhe teoricieni politik më i famshëm i Kinës, njeriu, kuadri moral i të cilit do të ndikonte në jetën e qindra miliona njerëzve në Azinë Lindore për më shumë se dy mijëvjeçarë. Por gjatë jetës së tij, ai ishte kryesisht një figurë e sikletshme: tepër i arsimuar, i papunësuar dhe vazhdimisht duke mbërritur në oborrin e gabuar në momentin e gabuar.
Ai jetoi gjatë periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës, afërsisht nga viti 771 deri në vitin 476 p.e.s., një epokë e emërtuar me ironi të hidhur, duke pasur parasysh dhunën e pandërprerë mes shteteve rivale kineze, ndërsa dinastia e vjetër Zhou po shpërbëhej dhe vendi po zhytej nën sundimin e komandantëve të luftës.
Virtyti nuk ishte filozofi qeverisëse. Ishte një luks që njerëzit seriozë nuk mund t’ia lejonin vetes. E megjithatë, Kong Qiu e kaloi gjithë jetën duke këmbëngulur për të kundërtën dhe, duke dështuar në pothuajse gjithçka që ndërmori, u shndërrua në autoritetin moral më të konsultuar në historinë njerëzore.
Lindur mes rrënojave së një perandorie që po shembej
Konfuci lindi me 28 shtator 551 p.e.s., në shtetin e vogël të Lusë, në territorin e provincës së sotme së Shandongut.I ati, një zyrtar i rangut të ulët ushtarak, vdiq kur Kong Qiu ishte ende fëmijë, duke e lënë atë të rritej vetëm me të ëmën. Familja ndodhej në atë pozitë të parehatshme ku ishte mjaftueshëm e arsimuar për ta ndier distancën nga pushteti, por edhe mjaftueshëm e varfër për ta përjetuar atë çdo ditë.
Si i ri, Kong Qiu pranonte çdo punë qeveritare që i ofrohej, administronte depot e drithit dhe mbikëqyrte bagëtinë. Nuk kishte akademi, patron aristokratik apo një fillim të artë në jetë.Filozofia e tij do të merrej gjithmonë me marrëdhëniet praktike njerëzore dhe jo me kozmologjinë abstrakte, e rrënjosur në regjistrat e magazinave dhe në stallat e bagëtive.
Mësuesi që merrte vetëm mish të tharë
Në një botë ku arsimi ishte privilegj i trashëguar i familjeve fisnike, Kong Qiu bëri një ofertë radikale: do t’i mësonte kujtdo që paraqitej me një tarifë simbolike,pak mish të tharë, dhurata më e lirë e pranueshme e asaj kohe. Kjo e bëri atë një figurë transformuese në arsimin kinez dhe një nga të parët që krijoi një shkollë të hapur qëllimisht për njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore. Kurrikula e tij përfshinte Gjashtë Artet klasike: ritualin, muzikën, gjuajtjen me hark, drejtimin e qerres, kaligrafinë dhe aritmetikën. Por synimi i tij nuk ishte thjesht aftësimi. Ai kërkonte nxënës që të mësonin të qeverisnin veten para se të pretendonin të qeverisnin të tjerët.
Filozofia që do të riformësonte qytetërimin e Azisë Lindore lindi pikërisht në këtë mjedis. Thëniet e tij të famshme nuk ishin ese të shkruara, ishin fragmente të kujtuara nga bisedat në klasë, në të cilat një mësues mendonte me zë të lartë mbi besnikërinë, dashamirësinë dhe kuptimin e të qenit plotësisht njerëzor.
Karriera politike që u shkatërrua në mënyrë spektakolare
Rreth vitit 501 p.e.s., Kong Qiu u emërua në një post të rëndësishëm administrativ në Lu dhe përfundimisht u ngrit në një detyrë të lartë. Burimet e lashta përshkruajnë rezultate të idealizuara, tregje që funksiononin vetë dhe një qeverisje me integritet të rrallë. Ajo që nuk vihet në dyshim është se Kong Qiu besonte se virtyti mund të ishte parim qeverisës dhe jo thjesht një aspiratë personale.
Më pas, politika u përkeqësua. Duka i Lusë pranoi dhurata nga një shtet rival, kuaj të bukur dhe argëtues, dhe pushoi së konsultuari fare zyrtarin e tij të lartë. Kong Qiu dha dorëheqjen rreth moshës 55-vjeçare dhe hyri në atë që studiuesit e quajnë vitet e endjes: udhëtime të gjata nëpër shtetet rivale, të cilat do të përcaktonin karakterin e tij më shumë se çdo post që kishte mbajtur.
Vite në rrugë, i shpërfillur nga të gjithë
Ai udhëtoi në shtetet Wei, Chen, Cai dhe të tjera. Çdo herë paraqitej te një sundimtar, çdo herë pritej me admirim, dhe më pas dërgohej larg pa marrë asnjë post. Sundimtarëve iu dukeshin idetë e tij bindëse në biseda, por të papërshtatshme për t’i zbatuar në praktikë.
Dishepujt e tij udhëtonin me të dhe regjistronin bisedat gjatë rrugës. Këto shkëmbime do të bëheshin baza e Analekteve, përmes të cilave bota do ta dëgjonte përfundimisht zërin e Kong Qiut. Endja e tij nuk ishte kohë e humbur. Ishte një lloj kërkimi në terren: vite të tëra gjatë të cilave ai vuri në provë idetë mbi dashamirësinë, respektimin e riteve dhe virtytin besnik ndaj oborreve mbretërore që vazhdimisht zgjidhnin leverdinë në vend të etikës, dhe zbuloi se idetë e tij mbijetonin.
Vdiq i zhgënjyer, por u bë i pavdekshëm
Kong Qiu u kthye në Lu rreth vitit 484 p.e.s. dhe vitet e fundit të jetës i kaloi duke redaktuar tekste të lashta. Asnjë sundimtar nuk erdhi të ulej në këmbët e tij. Asnjë shtet nuk e miratoi programin e tij.Ai vdiq rreth vitit 479 p.e.s., në moshën afërsisht 72-vjeçare, pa parë që idetë e tij të zbatoheshin në mënyrë të qëndrueshme.
Por historia kishte plane të tjera. Brenda disa brezash, sundimtarët nisën ta citonin si autoritet. Gjatë dinastisë Han, konfucianizmi u shndërrua në themelin ideologjik të shtetit perandorak dhe u përfshi në sistemin e provimeve përmes të cilit trajnoheshin zyrtarët për rreth dy mijë vjet.
Njeriu që kaloi 13 vjet duke u refuzuar me mirësjellje nga çdo sundimtar të cilit iu drejtua, u bë autoriteti moral më i konsultuar në historinë e Azisë Lindore. Ai gjithmonë besonte se virtyti zgjat më shumë se pushteti. Thjesht nuk e kishte imagjinuar se do t’i duhej të priste kaq gjatë që historia t’i jepte të drejtë.







