Ballina Aktualitet Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro...

Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh

40
0

Operatori i Sterilizimit do të blejë 20 milionë euro kite, reagentë dhe materiale mjekësore për të ofruar shërbimin e kontrollit mjekësor për popullatën. Sipas dokumentave të publikuara në regjistrin e parashikimit të prokurimeve, këto materiale mjekësore do të blihen në funksion të kryerjes së check up-it për tre vitet e ardhshme.

Shërbimi i kontrollit mjekësor të qytetarëve për 10 vitet e shkuara është kryer me konçesion nga një kompani private e quajtur 3p life, pronarja përfituese e së cilës është biznesmenja Vilma Nushi. Qytetarët shqiptarë paguan përmes buxhetit 8.76 miliardë lekë ose rreth 95 milionë euro me kursin aktual për këtë shërbim në 10 vitet që ai ofrohej nga koncesionari.

Një muaj më parë, qeveria njoftoi se me përfundimin e konçesionit, shërbimi do të kryhet nga shteti përmes Operatorit të Sterilizimit, i cili veç check up-it është ngarkuar të ofrojë edhe shërbimin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë dhe atë të hemodializës, edhe këto të konçesionuara më parë.

Operatori i Sterilizimit pritet të nisë ofrimin e shërbimit të kontrollit bazë mjekësore duke filluar nga tetori i këtij viti kur përfundon edhe konçesioni.

Përqëndrimi i ish konçesioneve tek Operatori i Sterilizimit e ka shndërruar këtë strukturë në një nga njësitë më të mëdha shpenzuese të buxhetit duke prokuroruar dhjetra milionë euro mallra ose shërbime në vit./kapital