Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas vendimit të Gjykatës Administrative lidhur me rritjen e pagave, duke e akuzuar gjykatën se ka vepruar me shpejtësi për të kërkuar ekzekutimin e vendimit pa miratimin e Kuvendit.
Rama e cilëson vendimin si “tejet turbullues”, ndërsa ngre pikëpyetje për mënyrën se si është trajtuar çështja, duke e krahasuar me mijëra dosje që, sipas tij, presin prej vitesh në gjykata.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysmë rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…”, tha ai.
Kryeministri e cilëson veçanërisht problematike marrjen, sipas tij, të një mase që synon të nxisë ekzekutimin e një akti që mund të jetë në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, shkruan Rama.
Rama ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, vendimi për hapjen e fondeve të Thesarit të Shtetit duhet të kalojë përmes Kuvendit.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.”, pohoi më tej.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur vendimi për pagat e magjistratëve ka shkaktuar përplasje mes institucioneve, ndërsa pritet që çështja të marrë zhvillime të reja në Kuvend.







