Ballina Ekonomia Resorti në Gjirin e Lalëzit, strategjikët e Omnix Albania marrin 90 mijë...

Resorti në Gjirin e Lalëzit, strategjikët e Omnix Albania marrin 90 mijë m² tokë shtetërore me 1 euro

104
0

Katër vite pas përfitimit të statusit të investitorit strategjik, shoqëria “OMNIX ALBANIA” sh.p.k. do të marrë në përdorim rreth 90 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Bashkinë Durrës, për zhvillimin e një resorti turistik në Gjirin e Lalëzit.

Qeveria ka miratuar vënien në dispozicion të kompanisë të një sipërfaqeje prej 90 030 m² pasuri të paluajtshme shtetërore, kundrejt tarifës simbolike prej 1 euro, duke konkretizuar kështu një prej masave mbështetëse të parashikuara më herët për projektin me status strategjik.

Sipas vendimit të qeverisë, bëhet fjalë për pasuritë shtetërore me nr. 178/44, nr. 152/43 dhe nr. 182, të ndodhura në zonën kadastrale 1522, në Bashkinë Durrës. Pronat do të vihen në dispozicion të “OMNIX ALBANIA” sh.p.k. në kuadër të zhvillimit të investimit në një zonë me përparësi turizmin.

Për realizimin e kësaj mase është miratuar gjithashtu lidhja e marrëveshjes së përdorimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe kompanisë, me tarifën simbolike prej 1 euro.

Vendimi i fundit i qeverisë vjen rreth katër vite pasi Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Resort turistik me vendndodhje në Gjirin e Lalëzit”.

Investitori i projektit është “OMNIX ALBANIA” sh.p.k., një shoqëri ku aksionerë rezultojnë tre kompani shqiptare: Matrix Konstruksion, Klar dhe RDA PETROL.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi luksoz turistik, ku përfshihen një park rezidencial, bulevard, hotel me 5 yje, park ujor, klub për fëmijë, klub plazhi dhe struktura të tjera në funksion të resortit.

Në dokumentacionin e KIS përcaktohej gjithashtu se projekti plotësonte kriteret e legjislacionit për investimet strategjike dhe parashikonte krijimin e 252 vendeve të punës.

Një nga elementet kryesore të mbështetjes së miratuar që në momentin e dhënies së statusit strategjik lidhej pikërisht me tokën e nevojshme për realizimin e investimit.

KIS kishte miratuar në parim masën mbështetëse të konsolidimit të tokës, si dhe dhënien e së drejtës së përdorimit dhe shfrytëzimit të një sipërfaqeje prej 90 030 m² të fondit pyjor-kullosor në pronësi të Republikës së Shqipërisë.

Krahas kësaj, vendimi parashikonte kryerjen me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara të procedurave administrative, si dhe asistencën për marrjen e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e investimit.

Në dokumentin e KIS ishte miratuar gjithashtu heqja nga fondi pyjor-kullosor e një sipërfaqeje prej 60 mijë m². Nga kjo sipërfaqe, 15 800 m² ndodheshin në pasuritë shtetërore me numrat 182, 152/43 dhe 178/44, ndërsa 44 200 m² ishin në prona private të “OMNIX ALBANIA”, me numrat e parcelave 181, 178/39 dhe 178/41.

Pra, sipërfaqja prej 90 030 m² që tashmë vihet në dispozicion të kompanisë me vendim të qeverisë dhe tarifë simbolike 1 euro nuk është një masë e re e konceptuar për projektin, por konkretizimi i një mbështetjeje të miratuar në parim që në momentin kur investimi mori statusin strategjik.

Pas rreth katër vitesh nga ky status, qeveria i hap kështu rrugën përdorimit nga investitori të rreth 9 hektarëve pronë shtetërore në zonën e Gjirit të Lalëzit, një nga zonat bregdetare me zhvillimin më intensiv turistik dhe rezidencial gjatë viteve të fundit.

Me marrëveshjen që do të lidhet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, “OMNIX ALBANIA” përfiton të drejtën e përdorimit të këtyre pronave shtetërore me tarifën simbolike prej vetëm 1 euro, për realizimin e projektit turistik për të cilin kishte marrë më herët statusin e investitorit strategjik.