Ballina Lifestyle “Nuk jam këtu për të qenë shoqja juaj më e mirë”/ Qëndrimi...

“Nuk jam këtu për të qenë shoqja juaj më e mirë”/ Qëndrimi i Nicole Kidman ndaj vajzave të saj shkakton reagime

97
0

Aktorja e njohur Nicole Kidman ka folur hapur për marrëdhënien me fëmijët e saj dhe mënyrën se si e sheh rolin e një nëne. Ajo ka bërë të qartë se nuk synon të jetë “shoqja më e mirë” e vajzave të saj, por personi ku ato mund të gjejnë gjithmonë mbështetje dhe siguri.

Kidman, e cila ka dy vajza me ish-bashkëshortin e saj Keith Urban, Sunday, 18 vjeçe, dhe Faith, 15 vjeçe, tha se për të, detyra e një nëne është shumë më e gjerë se krijimi i një marrëdhënieje miqësore me fëmijët. “Ti je para së gjithash një nënë. Je një nënë, por je edhe një udhërrëfyese, një mentore, një strehë e sigurt, vendi ku mund të kthehesh gjithmonë”, u shpreh aktorja. Ajo shtoi se nuk dëshiron të zëvendësojë miqësinë që fëmijët krijojnë me bashkëmoshatarët e tyre.

“Siç u them gjithmonë fëmijëve të mi, nuk jam këtu për të qenë shoqja juaj më e mirë. Jam këtu për të qenë personi juaj mbështetës”, tha Kidman. Deklarata e saj ka ngjallur reagime të ndryshme. Shumë prindër e kanë mbështetur qëndrimin e aktores, duke argumentuar se fëmijët kanë nevojë edhe për kufij dhe për të dëgjuar “jo”-në nga prindërit. Nicole Kidman ka edhe dy fëmijë të adoptuar, Bella dhe Connor, nga martesa e saj e mëparshme me Tom Cruise.

Ndërkohë, vajza e madhe, Sunday, ka nisur të ndërtojë karrierën e saj në industrinë e modës dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të këtij sektori. Kidman ka treguar se fillimisht kishte pasur dilema për ta lejuar vajzën e saj adoleshente të ndiqte këtë rrugë. Megjithatë, një bisedë me nënën e saj, Janelle, ndikoi në vendimin që mori. Sipas aktores, nëna e saj i kujtoi se edhe ajo vetë, kur ishte 14 vjeçe, ishte lejuar të ndiqte pasionin e saj.

“Duhet ta lësh të shkojë, sepse unë të lashë të shkosh”, i kishte thënë Janelle vajzës së saj. Nicole Kidman ka treguar se kjo këshillë ishte një nga dhuratat e fundit që nëna e saj i la asaj përpara se të ndërronte jetë në shtator të vitit 2025. Ndërkohë, karriera e Sunday në modë duket se po merr hov, pasi 18-vjeçarja ka bashkëpunuar me disa prej markave të njohura ndërkombëtare, mes tyre Miu Miu, Calvin Klein dhe Christian Dior.