Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e autoriteteve greke kundër trafikut të kokainës nga Kolumbia, ku mes personave të arrestuar ndodhet edhe një shtetas shqiptar.
Hita tha se Policia shqiptare ka shkëmbyer në kohë reale informacion me homologët grekë për operacionin e zhvilluar në Athinë, ku u sekuestrua një sasi kokaine dhe u arrestuan disa shtetas shqiptarë.
Sipas tij, një prej të arrestuarve rezulton të jetë person në kërkim nga autoritetet shqiptare, i dënuar për vrasje dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë.
“Kemi pasur një shkëmbim në kohë reale të informacionit me homologët grekë. Ata na kanë bërë me dije për një operacioni në Athinë, ku kanë kapur një sasi lëndë narkotike kokaine dhe janë arrestuar disa shtetas shqiptare.
Mes tyre është edhe një person në kërkim për llogari të Shqipërisë, i dënuar për vrasje, me rrezikshmëri të lartë, por nga qe informacioni është konfindencial nuk mund të bëj publik emrin. Ne kemi vazhduar verifikimet në të gjithë pjesën sa na takon ne, duke filluar hetimet tona në lidhje me këtë rast të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, tha Hita.







