Një i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion nga GJKKO, ka marrë një masë tjetër “Arrest në burg” nga Gjykata e Sarandës, pasi është kapur i dehur në drejtimin e automjetit dhe nuk i është bindur urdhrave të policisë.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 6 shtatorit në Ksamil kur shtetasi Nefail Zylo është konstatuar në drejtimin e automjetit tip “Jeep” me targa të huaja 2FTA413, të cilin e kishte parkuar mbi trotuar, afër një shtylle ndriçimi. Sipas raportit të shërbimit, punonjësit e policisë janë afruar dhe i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit personave që ndodheshin në automjet, por ata kanë refuzuar.
Drejtuesi i automjetit, e ka lëvizur automjetin mbrapa në këtë moment dhe punonjësit e policisë e kanë ndaluar të ikte. Drejtiuesi i automjetit u prezantua si Nefail Zyka dhe kaloi në anën e pasagjerit të automjetit dhe shtetasi A. H., i cili rezulton biznesmen ndërtimi kaloi në vendin e drejtuesit të automjetit, duke e bërë përpara makinën e duke e çuar aty ku ishte e parkuar që në fillim, afër shtyllës së ndriçimit.
Duke qenë se përsëri personat nuk po bindeshin, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë. Në ambientet e Komisariati të Policisë Sarandë i është nënshtruar testit të alkoolit shtetasi Nefail Zyko, ku ka rezultuar testi i parë në masën 0.65 mg/l dhe testi i dytë 0.54 mg/l.
Nga komunikimi me email që prokurorja ka mbajtur me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se i arrestuari Nefail Zyko ishte me statusin e të dënuarit duke vuajtur dënimin me burgim në IEVP Rrogozhinë për llogari të vendimit nr.7, datë 25.1.2025 të GJKKO, sipas së cilit është dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashukuar nga nent 259/2 e 25 të Kodit Penal.
Sipas urdhërit nr.7932, datë 4.9.2026, i arrestuari Nefail Zyko kishte përfituar lejen shpërblyese nga ora 11:30 e datës 4.9.2026 deri në orën 11:30 të datës 11.9.2026. Tre ditë pas ngjarjes, Zyko është paraqitur në Gjykatën e Sarandës, ku është pranuar kërkesa e Prokurores dhe është caktuar ndaj tij masa e sigurimit “Arrest në Burg” për “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.







