Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke kërkuar nga SPAK që të dërgojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku
Bardhi e ka cilësuar situatën si “Ditën 2” dhe ka renditur tre akuza që, sipas tij, lidhen me hetimet ndaj Ballukut: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, këto janë tre akuza të reja, ndërsa kujtoi deklarimet e mëparshme të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e Ballukut.
Bardhi pretendon se më herët shkelja e barazisë në tetë tendera, me një vlerë totale prej 1.2 miliardë eurosh, nuk ishte konsideruar e mjaftueshme për të mbështetur heqjen e imunitetit të saj.
“Tani që edhe alibia e Edi Ramës ka rënë, pse SPAK nuk sjell në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut?”, shprehet Bardhi.
Ai ngre gjithashtu pyetje mbi pasuritë që, sipas tij, janë zbuluar gjatë hetimeve.
Në reagimin e tij, Bardhi e mbyll me një referencë politike, duke pyetur nëse “Aleanca e Valamarit” është më e fortë se ligji.







