Ballina Opinion Fashizmi nuk duhet kërkuar tek revolta e protestuesve por në Kuvend!

Fashizmi nuk duhet kërkuar tek revolta e protestuesve por në Kuvend!

61
0

Nga Irena Beqiraj 

Deputeti Braçe e ka cilësuar situatën ditën e fillimit të punimeve të Kuvendit si një shfaqje të “fashizmit”, duke argumentuar se sulmet ndaj deputetëve për shkak të bindjeve apo zgjedhjeve të tyre politike përbëjnë një cënim të lirisë politike”

Unë do të përpiqem në këto rreshta të jap një këndvështrim më ndryshe për atë që është në të vërtetë fashizmi.

Deputeti Braçe mund të argumentojë më mirë se kushdo tjetër në atë sallë se: rregullat e prokurimit publik ekzistojnë për të siguruar mirëqeverisjen publike duke e garantuar mbrojtjen e interesit publik, sepse me anë të rregullave të prokurimit publik sigurohet :
1) konkurrenca midis furnizuesve potencialë;
2) transparenca;
3)trajtimi i barabartë;
4) Sigurimi i ofertës më të mirë;
5) Shmangia e konfliktit të interesit;
6) mekanizmat e shqyrtimit dhe ankimimit; dhe
7)mbrojtja kundër favorizimit dhe korrupsionit.

Me votimin e ligjeve të cilat kanë ligjëruar “modelin Kayo” tanimë në ushtri, në sherbimet IT, Kuvendi i ka hapur rrugë “korporatizimit të shtetit” duke lejuar shtrirjen e një tubi për kalimit të parave të buxhetit në xhepat e disa privatëve pa asnjë proçedurë kontrolli dhe transparence .

Edhe siç deklaroi ministrja e Shëndetësisë ditën e parë të punës, projektligji i cili instalon të njëjtin model edhe në shëndetësi do të firmoset nga ajo edhe do të miratohet në Kuvend pasi sipas saj citoj “Kjo gjë që do të bëjë kryeministri është një nga iniciativat më të mira që është bërë ndonjëherë në shëndetësi për të siguruar barnat për shqiptarët”

Me miratimin e këtyre ligjeve, Kuvendi ka lejuar që një shoqëri a agjenci shtetërore t’i jepet e drejta të bëj marrëveshje me kompani private e cila zgjidhet pa garë (sepse vet ligji nuk e imponon garën ) edhe në të gjitha rastet kjo të paraqitet si një sipërmarrje e përbashkët tregtare .

Me anë të këtyre marrëveshjeve kompanitë shtetërore, siç ka ndodhur në rastin KAYO angazhojnë në mënyrë efektive para publike duke blerë shërbime e produkte nga kompanitë bija, duke anashkaluar kështu rregullat e prokurimin publik, të cilat janë guri i themelit të qeverisjes financiare edhe i garantimit të interesit publik.

Qeverisja nuk është pronësi.  Ajo është një prokurë për të ushtruar vendimarrjen, edhe Kuvendi është garantuesi se ushtrimi i kësaj vendimmarrjeje i plotëson gjithmonë kushtet e organizimit edhe funksionimit të një shteti demokratik . Edhe një nga kushtet bazë është “nëse po përdoren paratë e shtetit çdo transaksion duhet t’i nënshtrohet rregullave të prokurimit”.

Sot se ky kusht themeltar është shkelur.

Përshembull, Timak defence një kompani e cila është 80 % private edhe 20 % shtetërore, ka përfituar deri tani 30 milionë euro të cilat i janë shmangur prokurimit , edhe Kuvendi nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli mbi përdorimin e tyre në garantim të interesit publik.

Pse kjo është “kapje e shtetit”? Sepse përgjigjet e pyetjeve të më poshtme të çojnë vetëm aty.

Kush i zotëron kompanitë bija?

Përgjigje: Në rastin e Timak defence Kayo është minorancë me 20%. Madje në intervistën e Drejtorit të Kayo-s në mënyrë aluçinante u argumentua se pjesëmarrja e shtetit u ul nga 45% në 20 % sepse gjatë negociatës privati rriti “Know How ( NJOHURITË) “.

Nga ka ardhur financimi?
Përgjigje: Deri tani për Timak defence që ka aktivitet, vetëm nga buxheti i shtetit.

Kush e zgjodhi partnerin privat? A pati një proces të hapur konkurrues? Përgjigje: Asnjë proçes konkurues, madje kompanitë e përzgjedhura nuk kanë as eksperiencë apo çertifikime në fushat përkatëse, përveç lidhjes politike me Kryeministrin.

Kush janë klientët të këtyre kompanive?
Përgjigje: vetëm entet shtetërore. Pra një kompanie ku vendimet tregëtare i merr privati i jepet monopoli të furnizojë me sherbime a mallra të caktuara entet shtetërore, me cmime të vendosura jashtë çdo kontrolli ashtu si zotëruesi mazhoritar e sheh të arsyeshme.
Kush merr përfitimin ekonomik? Partneri privat që është zotëruesi kryesor i zgjedhur pa garë.

Këto përgjigje qartazi tregojnë korporatizimin e shtetit me anë të krijimit të kompanive shtetërore të cilat krijojnë të tjera kompani bija me aktor privat të lidhur politikisht të zgjedhur pa garë, të cilët marrin akses në burimet ose asetet publike , ndërsa anashkalohet rregullat e prokurimit , kontrollit edhe llogaridhënies. Ndryshe kjo quhet kapje e shtetit.

Edhe ky mekanizëm përjashton qëllimisht jo vetëm auditorët publikun nga kontrolli edhe transparenca por edhe vet Kuvendin.

Benito Mussolinit i atribuohet një thënie e famshme : “Fashizmi duhet të quhet më saktë korporatizëm sepse është një bashkim i pushtetit shtetëror dhe atij të korporatave.”

Ndaj fashizmi nuk duhet gjetur tek revolta e protestuesve, fyerjet apo goditjet me vezë të deputetëve . Protestuesit përveçse janë të privuar nga shërbimet publike sepse paratë e buxhetit në vend të mirëmenaxhohen për të ofruar më shumë shërbime për ta pasurojnë Ronin e panginjur , por monopolet edhe oligopolet që kanë kapur për gryke çdo sektor të kësaj ekonomie e kanë bërë të pamundur sigurimin e një jetese modeste por dinjitoze për njerëzit.

Fashizmi duhet kërkuar pikërisht brenda atij Kuvendi.

Ndërsa teorikisht deputetët janë aty për të siguruar se ligjet e këtij vendi nuk janë në kundështim me interesin publik, praktikisht me ligjet që kanë miratuar, me vullnet të plotë kanë hequr dorë nga mbikëqyrja, transparenca edhe llogaridhënia duke hequr dorë kështu njëherë e mirë nga garantimi i mirëqeverisjes edhe i interesit publik.