Ballina Politika ‘KAYO, pa kontroll shtetëror’, Blushi: ‘Puç’ kushtetues me Yeffet, dhjetëra milionë euro...

‘KAYO, pa kontroll shtetëror’, Blushi: ‘Puç’ kushtetues me Yeffet, dhjetëra milionë euro para publike për kompanitë private

61
0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, njëherësh deputet i kësaj force politike, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me funksionimin e shoqërisë shtetërore të armatimeve KAYO. Në një deklaratë për mediat, Blushi e cilësoi këtë model si një arkitekturë të mirëfilltë kriminale të ndërtuar për të transferuar dhjetëra miliona euro të taksapaguesve te biznesmenë privatë, duke u shmangur rregullave ligjore të prokurimit publik dhe auditimit shtetëror.

Sipas deputetit të opozitës, ndonëse KAYO është krijuar me 100% kapital shtetëror nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, përmes saj janë ngritur katër kompani bijë me partnerë privatë: Timak Defence, Advanced Arms Technology, MKD dhe Guna Tactical. “Modeli KAYO është një mekanizëm i strukturuar mafioz i ndërtuar nga Edi Rama për zhvatjen e fondeve publike përmes Ron Yeffet dhe ‘Ronëve’ të tjerë, një puç kushtetues që jo vetëm ka suprimuar kontrollin kushtetues mbi paranë publike, por që nëpërmjet përjashtimit të fondeve publike nga të gjitha rregullat e prokurimit publik, ka krijuar hapësirën për zhvatjen e tyre,” deklaroi Blushi.

Deputeti zbërtheu marifetin ligjor të përdorur, ku shteti mbetet qëllimisht në pakicë aksionesh në secilën prej tyre. “Këto katër kompani, që zotërohen dhe kontrollohen në shumicë nga privati, janë të përjashtuara nga rregullat e prokurimit publik, ashtu si edhe nga auditimi i Kontrollit të Lartë Shtetëror, për shkak se ligji përcakton se i nënshtrohen rregullave vetëm kompanitë ku shteti zotëron më shumë se gjysmën e kuotave. Në kushtet kur të katër shoqëritë kanë ortakë privatë në shumicë, as ligji për prokurimin publik, as ligji për KLSH-në, as auditi i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë të zbatueshëm ndaj tyre. Shteti paguan, privati menaxhon paranë publike, ndërsa kontrolli kushtetues neutralizohet,” u shpreh ai.

Si ilustrim të kësaj skeme, Blushi përmendi rastin e shoqërisë ‘Timak Defence’, ku 49% e aksioneve iu shitën për vetëm 490 euro biznesmenit izraelit Ron Yeffet, ndërsa KAYO mban vetëm 20%. Kjo kompani, sipas të dhënave të bëra publike, ka përfituar deri në 30 milionë euro nga Buxheti i Shtetit pa iu nënshtruar asnjë garë apo prokurimi publik. Ngjashëm, te ‘Guna Tactical’, shteti humbi shumicën duke zbritur në 49% të aksioneve, ndërsa kompania ka marrë rreth 8 milionë euro nga fondet publike.

Në përmbyllje të deklaratës, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së njoftoi hapat e mëtejshëm politikë dhe ligjorë për ballafaqimin me këtë skandal, duke përmendur edhe rreziqet për sigurinë kombëtare nga trafikimi i armëve. “Tanimë opozita e ka depozituar nismën e saj për ngritjen pa vonesë të komisionit hetimor parlamentar që do të përqendrojë punën e tij në verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Edi Rama gjatë funksionimit të shoqërisë shtetërore KAYO sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, marrëdhënieve kontraktuale, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, duke mbajtur në konsideratë edhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar në NATO,” përfundoi Blushi.