Ballina Europë Tragjedi në Alpet Zvicerane/ Rrëzohet aeroplani, raportohen tre të vdekur

Tragjedi në Alpet Zvicerane/ Rrëzohet aeroplani, raportohen tre të vdekur

64
0

Tre persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël me një motor u rrëzua në Alpet zvicerane, në jugperëndim të vendit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Sipas policisë kantonale të Valais, avioni u rrëzua pasditen e djeshme në shpatin verior të një mali në zonën e Fluchalp, pranë vendpushimit malor të Leukerbad.

Të tre personat që ndodheshin në bord humbën jetën. Autoritetet zvicerane vijojnë procesin e identifikimit të viktimave, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura identitetet e tyre.

Avioni ishte nisur nga Lugano, në kantonin italishtfolës të Ticinos dhe kishte ndaluar në Sion, në kantonin e Valais.

Më pas, ai ishte nisur drejt aeroportit Buchs, por gjatë fluturimit u rrëzua në një zonë malore për arsye që ende nuk dihen.

Aksidenti ndodhi pak pas orës 16:00, sipas orës lokale. Banorët e zonës njoftuan shërbimet e emergjencës pasi vunë re tym që ngrihej nga mali.

Policia bëri të ditur se, për arsye ende të paqarta, avioni u përplas në shpatin verior të malit në zonën Fluchalp të Leukerbad.

Në vendngjarje u dërgua një forcë e madhe shpëtimi, ku morën pjesë tre helikopterë dhe dy ekipe të specializuara.

Fotot e publikuara nga policia tregojnë rrënojat e avionit të shpërndara në shpatin e malit.

Autoritetet federale zvicerane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të rrëzimit.

Paralelisht, po zhvillohet edhe një hetim penal nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorit Federal, në bashkëpunim me policinë kantonale të Valais. Deri tani, nuk ka të dhëna të tjera për identitetin e viktimave apo për ngjarjet që i paraprinë rrëzimit.