Ballina Kronika Fier/ Kapet me lingota e monedha floriri në automjet, arrestohet 30-vjeçari

Fier/ Kapet me lingota e monedha floriri në automjet, arrestohet 30-vjeçari

82
0

Një 30-vjeçar është arrestuar në Fier në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, pasi u kap duke transportuar me një automjet luksoz “Porsche Cayenne” lingota dhe monedha floriri, si dhe një shumë parash, për të cilat nuk dispononte dokumentacion mbi origjinën.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 9 monedha floriri, 4 lingota floriri, 4000 euro dhe 93 mijë lekë. Sipas policisë, 30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që të justifikonte origjinën apo burimin e sendeve me vlerë dhe parave.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij në Roskovec, ku u gjet një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi me inicialet A. B. u arrestua dhe akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Policia ka sekuestruar sendet me vlerë, paratë dhe automjetin “Porsche Cayenne”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë. Krahas hetimit penal, pritet të nisë edhe hetimi pasuror, me qëllim përcaktimin e burimit të parave dhe sendeve me vlerë të gjetura.

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e forcave Operacionale dhe “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve ndaj automjeteve të luksit dhe verifikimit të burimit të pasurisë.