Ballina Ekonomia Tregtia e jashtme/ Importet rriten 12.6%, deficiti arrin në 55 miliardë lekë...

Tregtia e jashtme/ Importet rriten 12.6%, deficiti arrin në 55 miliardë lekë në muajin gusht

44
0

Gushti është muaji kulmor i verës, kur turizmi është në pikun e tij dhe kërkesa për mallra e shërbime rritet ndjeshëm. Por të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se kjo kërkesë po ushqen më shumë importet sesa eksportet shqiptare.

Në gusht Shqipëria eksportoi 20.5 miliardë lekë mallra, vetëm 1.6% më shumë se një vit më parë. Në të kundërt, importet arritën në 75.6 miliardë lekë, me një rritje prej 12.6%.

Kjo diferencë e thellon edhe më tej deficitin tregtar që në gusht arriti në 55 miliardë lekë, 17.4% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Edhe pse gushti sjell më shumë konsum dhe aktivitet ekonomik, prodhimi vendas nuk po e ndjek me të njëjtin ritëm kërkesën.

Një nga dobësitë kryesore mbetet fasoni. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 12.4% vetëm në gusht ndërsa për tetë muaj janë tkurrur rreth 8%. Për herë të parë, ky grup nuk është më në krye të eksporteve shqiptare, duke zbritur në vendin e dytë, ndërsa mineralet, lëndët djegëse dhe energjia kanë marrë kryesimin.

Në anën tjetër, importet tregojnë edhe një ndryshim të fortë në burimet e furnizimit. Kina solli 12.5 miliardë lekë mallra në gusht, duke kaluar Italinë me 10.8 miliardë lekë. Por surpriza më e madhe është SHBA-ja: importet prej saj u rritën rreth 320%, në 5.8 miliardë lekë.

Sa i përket eksporteve, Italia mbetet destinacioni kryesor me 6.8 miliardë lekë, e ndjekur nga Kosova me 2.27 miliardë. Ndërsa eksportet drejt SHBA-së u rritën me rreth 72%, ato drejt Kinës me 49%.

Gushti zgjeroi jo vetëm hendekun mes asaj që Shqipëria blen dhe shet jashtë,por edhe hartën e partnerëve tregtarë teksa BE-ja përbën 63.1% të eksporteve por vetëm 41.6% të importeve.