Ballina Politika Garo: Nufi bëri trafik armësh në shkelje të ligjeve të NATO-s dhe...

Garo: Nufi bëri trafik armësh në shkelje të ligjeve të NATO-s dhe BE-së, të dorëhiqet bashkë me Ramën

63
0

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, denoncoi sërish skandalin e trafikut të armëve. Gjatë një konference për shtyp, ajo tha se Edi Rama dhe Ermal Nufi kanë bërë trafik në shkelje të ligjeve të NATO-s dhe BE-së. Në emër të PD, Garo tha se të gjithë përgjegjësit për këtë rrjet të trafikut të drogës duhet të japin dorëheqjen.

DEKLARATA E PLOTË

Armët e shitura nga ana e Shqipërisë në vendet në konflikt janë në kundërshtim me ligjet e NATO-s dhe të BE-së.

Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes, në seancën e datës 23 prill do të deklaronte se kompania bijë e KAYO-s, Advanced Arm of Technology, e cila zotërohet nga Ron Yeffet dhe Arjeta Puca në masën 80% të saj, ka prodhuar dhe ka shitur armë në zonat e konfliktit.

‘Dhe së fundmi kemi edhe kompaninë AAT, Advanced Arm of Technology, që prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe një herë, janë në përdorim në një vend në konflikt diku, jo patenta fiktive’, tha Nufi.

Por, nga verifikimet tona rezulton se në rastin më të mirë ose kemi të bëjmë me një mashtrim publik të Nufit, ose me një shkelje të hapur të ligjeve të NATO-s dhe të BE-së, duke rrezikuar kështu seriozisht procesin e integrimit, por duke vënë edhe në dyshim pozicionin e Shqipërisë mes vendeve partnere të NATO-s.

Në rast se ka ndodhur vërtet që Ermal Nufi, me bekimin e Edi Ramës, ka shitur armët e Ron Yeffet, atëherë ato armë vijnë nga vende të tilla si Nigeria, Sudani apo Angola dhe kjo nuk do të ishte asgjë më shumë se trafik armësh me licencën e qeverisë shqiptare.

Sipas rregulloreve të NATO-s për mbështetjen dhe prokurimin, si dhe rregullave të financimit të përbashkët të NATO-s, dokumenti AC/4-D/2261 që rregullon Prokurimin Ndërkombëtar me Konkurrencë përcakton edhe kriteret që lidhen me kombësinë dhe origjinën e prodhimit.

Kriteri i kombësisë së prodhimit të armëve apo municioneve është ndër kriteret bazë: tenderët dhe kontratat e mbrojtjes për furnizimin e forcave të NATO-s u lejohen vetëm kompanive që janë të regjistruara dhe operojnë brenda vendeve anëtare të NATO-s, thuhet në rregulloren për tenderët dhe financimin.

Ron Yeffet e pranoi se armët që do t’u shiteshin vendeve të BE-së do të vinin nga Afrika dhe, specifikisht, nga Nigeria, Angola apo Sudani. Të tri këto vende nuk janë shtete anëtare të NATO-s.

Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes ka shkelur me të dyja këmbët nenin 346 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, si dhe kriterin kryesor të BE-së për tregtinë, ‘Gjithçka përveç armëve’ e cila u lejon vendeve më pak të zhvilluara të Afrikës të eksportojnë mallra drejt BE-së, por në mënyrë kategorike jo armë

I njëjti nen u jep shteteve anëtare të drejtën sovrane të mbrojnë ‘interesat thelbësore të sigurisë së tyre’ në lidhje me tregtinë e armëve. Sipas këtij parimi, agjencitë kombëtare të kontrollit të eksport-importit refuzojnë të japin leje importi për armë që vijnë nga vende që nuk ofrojnë siguri të plotë gjeopolitike apo që nuk garantojnë standarde të larta kontrolli, dhe vendet e Afrikës nuk janë në këtë listë.

E pra, është e qartë që Nufi i Ramës, me urdhër të këtij të fundit, ka shfrytëzuar një prej arritjeve më të mëdha të Shqipërisë, siç është anëtarësimi në NATO, për të bërë trafik armësh nga Afrika ose vende jashtë BE-së nën siglën e shtetit shqiptar, duke cenuar jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe atë të vendeve partnere.

Është dhe kjo një prej arsyeve kryesore që opozita shqiptare kërkon hetim të menjëhershëm prej organeve ligjzbatuese dhe e sheh po aq të paligjshme dhe kundër interesave kombëtare heshtjen e SPAK-ut.

Partia Demokratike kërkon që Edi Rama, Ermal Nufi dhe të gjithë ata që kanë gatuar këtë rrjet korrupsioni, trafiku dhe paligjshmërie të japin dorëheqjen dhe të shkojnë para drejtësisë.

Koha nuk pret.