Ballina Politika “Rama gënjeu dje në seancë, zgjodhi një orar të vonë për të...

“Rama gënjeu dje në seancë, zgjodhi një orar të vonë për të ardhur”/ Këlliçi ‘zbërthen prapaskenat’: Belinda Balluku nuk shkel më në Kuvend

78
0

Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, komentoi ne studion televizive seancën e djeshme plenare, ku u miratua me votat e mazhorancës ligji për pagat e magjistratëve.

Këlliçi tha se opozita kërkoi që në këtë ligj të zbatoheshin vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk respekton vendimet e saj.

Sipas Këlliçit, Rama zgjodhi një orar të vonë për të marrë pjesë në seancë dhe për të siguruar votat e nevojshme për miratimin e ligjit.

“Kërkuam që për ligjin për magjistratët të zbatoheshin vendimet e Kushtetueses. Rama nuk respekton asnjë vendim të Kushtetueses. Rama gënjeu dje në seancë, zgjodhi një orar të vonë për të ardhur në seancë”, tha Këlliçi.

Ai u ndal edhe te numri i votave të mazhorancës, duke pretenduar se pas largimit të Koçekut, PS ka mbetur me 82 deputetë, ndërsa përmendi edhe votën e Tom Doshit. Këlliçi tha se mungesa e Belinda Ballukut në seancat parlamentare e ka ulur më tej numrin e votave të disponueshme nga mazhoranca.

“PS-ja ka 83 vota në Kuvend, por me largimin e Koçekut kanë ngelur 82. Por ka votat e Tom Doshit. Ndërkohë Balluku nuk vjen më në seancë dhe ai ka një votë më pak. Ai zgjodhi ditën e djeshme që të votonte”, u shpreh ai.

Këlliçi akuzoi gjithashtu Ramën se gjatë seancës së Kuvendit bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe prokurorive, duke e lidhur këtë me mënyrën se si, sipas tij, kryeministri ushtron pushtetin.

“Pati akuza të drejtpërdrejta për SPAK-un, për prokuroritë. Nisi të hakmerrej ndaj SPAK-ut dhe prokurorive të tjera. Nuk la rast pa përmendur që personi që vendos për pagat jam unë dhe ju do ulni kokat”, deklaroi Këlliçi.

Në vijim, nënkryetari i PD-së solli edhe si shembull një çështje arbitrazhi, duke akuzuar Ramën se nuk respekton vendimet kur ato janë në dëm të Shqipërisë.

“Duhet të kuptoni fizionominë me të cilën udhëheq Rama këtë qeveri. Ky edhe pse në arbitrazh vendoset kundër Shqipërisë, thotë se nuk e respekton vendimin e arbitrazhit”, përfundoi Këlliçi.