Qarkullimi në superstradën Tiranë–Durrës do të kufizohet përkohësisht gjatë dy netëve, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), kufizimet lidhen me montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit dhe do të realizohen në zbatim të Planit të Menaxhimit të Trafikut.
Sonte, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet përkohësisht drejtimi Tiranë–Durrës. Trafiku do të devijohet përmes rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, nga ku automjetet do të rikthehen në superstradë përmes rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi do të nisë që nga rrethrrotullimi i Casa Italia, për të shmangur përdorimin dhe dëmtimin e rampës provizore të Rinasit.
Të martën, më 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet drejtimi i kundërt, Durrës–Tiranë.
Në këtë rast, trafiku do të devijohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë deri pas mbikalimit të Kasharit, ku automjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.
Automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar në itineraret përkatëse.
ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë punimeve. Drejtuesve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orëve të bllokimit.







