Ballina Sport Talenti francez humb jetën në aksident trafiku

Talenti francez humb jetën në aksident trafiku

69
0

Një tragjedi e rëndë ka tronditur botën e kërcimeve me ski. Nathan Gehin, i konsideruar si një prej talenteve të mëdha të kërcimeve të skive te të rinjtë në Francë, ka humbur jetën në një aksident trafiku gjatë fundjavës, në moshën vetëm 16-vjeçare.

Aksidenti ndodhi pranë qytetit Ventron, në malet Vosges, në pjesën verilindore të Francës. Në automjetin ku ndodhej Gehin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët pësuan lëndime të rënda, por sipas informacioneve të para nuk janë në rrezik për jetën.

Sipas televizionit francez BFM TV, aksidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje, rreth mesnatës, në një rrugë malore në Ventron. Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve lokale, automjeti doli nga rruga dhe drejtuesi humbi kontrollin. Më pas makina u përplas me forcë me një pemë.

Për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja, Nathan Gehin ndërroi jetë në vendin e aksidentit. Policia lokale po vazhdon hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të humbjes së kontrollit të automjetit.

Federata Franceze e Skive: “Jemi thellësisht të pikëlluar”

Lajmin e konfirmoi edhe Federata Franceze e Skive (FFS), e cila në rrjetet sociale i dha lamtumirën talentit të ri.

“Federata Franceze e Skive e mori me trishtim të madh lajmin për vdekjen e papritur të Nathan Géhin, një kërcyesi të ri të skive nga rajoni i Vosges, pas një aksidenti tragjik automobilistik”.

Federata shprehu ngushëllimet më të thella për familjen, të afërmit dhe shokët e tij të klubit, të cilët janë prekur rëndë nga kjo tragjedi.

“Në këto momente të vështira, Federata Franceze e Skive u ofron mbështetje të plotë familjarëve dhe të afërmve të tij dhe shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta”.