Ballina Ekonomia Reforma hekurudhore, Shqipëria mbetet e fundit në rajon me 45% të zbatimit

Reforma hekurudhore, Shqipëria mbetet e fundit në rajon me 45% të zbatimit

53
0

Shqipëria ka ngadalësuar ritmin e reformës së sektorit hekurudhor gjatë vitit 2025 dhe mbetet vendi me nivelin më të ulët të zbatimit të Planit Rajonal të Reformës Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportit “2025 Report on the Implementation of the Green Agenda for the Western Balkans Action Plan”, niveli i zbatimit të reformave hekurudhore në Shqipëri ra në 45% në vitin 2025, nga 51% në vitin 2024. Bosnjë-Hercegovina kishte një nivel zbatimi prej 52%, Mali i Zi 60%, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nga 62%, ndërsa Serbia 65%. Edhe Serbia shënoi një rënie të fortë, nga 93% në vitin 2024.

Një nga elementet e reformës është hapja e tregut hekurudhor për operatorët. Në këtë tregues, Shqipëria vlerësohet me 52%, krahasuar me 89% për Serbinë, 67% për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, 56% për Malin e Zi dhe 40% për Bosnjë-Hercegovinën.

Një tjetër problem është ritmi i modernizimit të infrastrukturës. Në Shqipëri vijojnë punimet për lidhjen e Aeroportit të Tiranës me hekurudhën, si pjesë e linjës Tiranë-Durrës. Raporti përmend gjithashtu punën përgatitore për lidhjen e Porto Romanos dhe Vlorës me rrjetin rrugor dhe hekurudhor.

Por raporti vlerëson se, pavarësisht këtyre projekteve, ritmi i përgjithshëm i ndërtimit të terminaleve multimodale dhe modernizimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në rajon mbetet relativisht i ngadaltë.

Një pjesë e reformës lidhet pikërisht me krijimin e lidhjeve mes hekurudhave, porteve, aeroporteve dhe transportit rrugor, në mënyrë që mallrat të mund të kalojnë më lehtë nga një mënyrë transporti te tjetra. Në këtë drejtim, Shqipëria ende nuk ka transpozuar rregullat europiane për transportin e kombinuar të mallrave. Raporti evidenton se vetëm Serbia dhe Mali i Zi i kanë transpozuar pjesërisht këto rregulla, ndërsa vendet e tjera të rajonit jo.

Një dobësi tjetër e reformës në rajon janë kalimet hekurudhore ndërkufitare. Raporti vëren se aktivitetet e parashikuara për vitin 2025 në këtë drejtim shënuan shumë pak ose aspak progres në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor. Përjashtim bëjnë disa zhvillime mes Serbisë dhe Hungarisë.

Vendet e tjera nuk bënë përparim të rëndësishëm në krijimin e kuadrit ligjor për kontrollet e përbashkëta hekurudhore në kufi, ngritjen e stacioneve të përbashkëta apo rinovimin e linjave hekurudhore ndërkufitare.

Shqipëria shfaq nivel relativisht të ulët që rregullat shqiptare të funksionojnë në përputhje me sistemin europian tw hekurudhave. Treguesi për Shqipërinë është 42%, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 64%. Serbia arrin në 92%, Kosova dhe Mali i Zi në 67%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut në 58%. /Monitor