Ballina Opinion Shefja e SHISH-it na kërcënoi të gjithëve. Tani shteti dhe drejtësia duhet...

Shefja e SHISH-it na kërcënoi të gjithëve. Tani shteti dhe drejtësia duhet të na thonë nëse do të përballen me të, apo kanë frikë nga Vlora e Gysit

53
0

Në hyrje të Gjykatës së Posaçme, pak para se të përballej me hetimin që e ka çuar në arrest shtëpie, ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit nuk zgjodhi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ajo zgjodhi t’i drejtohej njërës prej tyre me një pyetje që nuk kërkonte përgjigje: “Klode, si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Fjalia ishte e shkurtër, por jo e rastësishme. Ajo nuk pohon asgjë dhe megjithatë sugjeron gjithçka. Nuk ka provë, as datë, as kontekst, vetëm një vend, një kombësi dhe një fjalë, “agjentë”, që në gojën e një ish-shefeje të inteligjencës merr peshë plumbi.

Analiza më poshtë nuk synon të gjykojë fajësinë e askujt. Hyseni gëzon prezumimin e pafajësisë dhe aludimi ndaj gazetares nuk është provuar. Qëllimi është të kuptohet mekanizmi, sepse mekanizmi ka më shumë rëndësi se rasti.

Pse fjala e një ish-shefi inteligjence peshon ndryshe

Kur një qytetar i zakonshëm hedh një insinuatë, publiku kërkon prova. Kur e hedh ish-drejtuesja e shërbimit sekret, publiku supozon se provat ekzistojnë, thjesht nuk mund të tregohen. Kjo është asimetria mbi të cilën funksionon e gjithë strategjia. Informacioni i inteligjencës është i klasifikuar sipas përkufizimit. Ai kundër të cilit drejtohet insinuata nuk mund ta hedhë poshtë plotësisht, sepse nuk ka akses në burimin e supozuar. Dyshimi mbetet i lirë, ndërsa mohimi mbetet gjithmonë i paplotë.

Ky është mekanizmi mbrojtës më i thjeshtë dhe më pa dorashka i njerëzve që vijnë nga shërbimet sekrete: shantazhi. Një shantazh që nuk ka nevojë për prova, sepse ushqehet nga pushteti publik që ka pasur dikur ai që e ushtron, dhe që drejtohet ndaj atyre që sot mbajnë funksione publike. Me sa duket, kjo do të jetë hija që do ta shoqërojë procesin penal ndaj Vlora Hysenit, si kur ajo të flasë në publik, ashtu, ndoshta edhe më shumë, kur të heshtë. Sepse heshtja e dikujt që “di” është po aq kërcënuese sa fjala e tij.

Në një atmosferë tjetër publike, ku opinioni nuk do të ishte i mbarsur me pritshmëri dhe teori konspirative, do të mjaftonte të kujtohej një dallim juridik elementar, që shpesh humbet në zhurmën mediatike. Forma pyetëse, e zgjedhur me qëllim, nuk e shndërron deklaratën në opinion. Jurisprudenca, përfshirë atë të Strasburgut, e bën të qartë dallimin midis gjykimeve vlerësuese dhe pohimeve faktike. Takimet me agjentë të një shërbimi të huaj, në një vend të caktuar, të hedhura me shpërfillje nga ish-drejtuesja e SHISH-it para portës së gjykatës, e rrethuar nga mikrofonat e të gjitha mediave, janë fakte të pretenduara. Si të tilla, ato janë të verifikueshme. Dhe barra e provës bie mbi atë që i thotë, jo mbi atë që i përmendet emri. Por në klimën e sotme, ky dallim nuk mjafton më vetëm. Duhet mbrojtur me veprim.

Konteksti e rëndon më tej fjalinë. Ishte pikërisht Klodiana Lala ndër të parat që konfirmoi lajmin e masës së sigurisë ndaj Hysenit. Duhet të jemi të qartë: sulmi nuk bie mbi një gazetare çfarëdo. Bie mbi atë që e bëri publik hetimin.

Historia botërore e njeh këtë model

Përdorimi i informacionit të shërbimeve si levë mbrojtjeje ose presioni nuk është shpikje shqiptare. Historia e demokracive, të konsoliduara apo të brishta, është e mbushur me shembuj.

Në Shtetet e Bashkuara, J. Edgar Hoover drejtoi FBI-në për gati pesë dekada, pjesërisht falë dosjeve konfidenciale që mbante për politikanë, gazetarë dhe aktivistë. Presidentët nuk e shkarkuan jo sepse nuk donin, por sepse nuk e dinin çfarë dinte ai. Fuqia e dosjes nuk qëndronte te përdorimi, por te ekzistenca e saj.

Në Peru, Vladimiro Montesinos, shefi de facto i shërbimit të inteligjencës nën Fujimorin, filmonte sistematikisht deputetë, gjyqtarë dhe pronarë mediash teksa merrnin para. Kur në vitin 2000 u publikua videoja e parë, të famshmet “vladivideos”, regjimi ra brenda pak javësh. Mësimi i Perusë është i dyfishtë: kompromentimi mund ta mbajë një sistem peng për vite, por mjafton një dritë e vetme që i gjithë ndërtimi të shembet.

Në Itali, në vitin 2006, hetimi i prokurorëve të Milanos mbi rastin Abu Omar zbuloi një zyrë të SISMI-t, shërbimit ushtarak të inteligjencës, ku mbaheshin dosje mbi gjyqtarë, prokurorë dhe gazetarë të konsideruar “armiqësorë”. Skandali tregoi se edhe në një demokraci të Bashkimit Evropian shërbimi mund të kthehet në arkiv presioni ndaj pushtetit gjyqësor dhe shtypit.

Por përvoja ka prodhuar edhe kundërmasat. Në vitin 1980 Kongresi amerikan miratoi Ligjin për Procedurat e Informacionit të Klasifikuar, CIPA, si përgjigje ndaj asaj që juristët e quanin graymail: strategjia e të pandehurve me akses në sekrete, të cilët kërcënonin se mbrojtja e tyre do t’i detyronte gjykatat t’i bënin ato publike, me synimin që prokuroria të tërhiqej. Ligji krijoi procedura të posaçme që gjykimi të vazhdojë pa u bërë peng i sekretit. Mesazhi institucional ishte i qartë: sekreti nuk mund të jetë mburojë kundër drejtësisë.

Paradoksi që duhet thënë me zë

Në rastin e Vlora Hysenit ka një element që e bën strategjinë e saj pothuajse vetëshkatërruese. Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Pra akuzohet pikërisht për përdorim të papërshtatshëm të informacionit të klasifikuar.

Kjo krijon një dilemë pa dalje. Nëse deklarata për gazetaren mbështetet në informacion të vërtetë të shërbimit, atëherë një ish-drejtuese e pezulluar po e përdor publikisht atë informacion për qëllime personale. Kjo është pikërisht sjellja për të cilën akuzohet. Nëse nuk mbështetet në asgjë, atëherë kemi të bëjmë me shpifje të veshur me autoritetin e një institucioni sigurie. Në asnjërin rast fjalia nuk mbron të pandehurën. Ajo vetëm e zgjeron hijen e dyshimit përtej saj.

Megjithatë, duhet ta pranojmë: kjo strategji do të përdoret rëndom, nga e pandehura dhe nga personazhe të tjerë që kanë pasur lidhje me të dhe që, si ajo, përballen me drejtësinë. Paradoksi juridik nuk e ndal dikë që ndihet se nuk ka më shumë për të humbur. Në të ardhmen, ata mund të mos mjaftohen me pyetje retorike të hedhura shkarazi apo me insinuata neutralizuese. Mund të rrjedhin dokumente, fakte, fotografi apo video kompromentuese, mbi situata reale ose të stisura. Dhe shënjestra nuk do të jenë më vetëm gazetarë apo funksionarë periferikë. Mund të jenë drejtpërdrejt funksionarët më të lartë të drejtësisë, të qeverisë dhe të Kuvendit. Pra pikërisht ata që kanë në dorë ta dënojnë, ose ta nxjerrin pa u lagur, Vlorën dhe grupin e saj.

Ndaj një strategjie të tillë, që mund të vihet në lëvizje prej saj dhe, akoma më shumë, nga grupe më të strukturuara, kriminale ose jo, duhet dhënë që tani një përgjigje. E qartë dhe efektive. Ligjore dhe publike. Kjo përgjigje fillon me një standard sjelljeje, dhe standardi ndërtohet nga rasti i parë. Që i takon ta bëjë Klodi Lala.

Çfarë duhet të bëjë gazetarja

Heshtja nuk është opsion. Në logjikën e “informacionit inteligjent”, heshtja lexohet si pohim. Por as kundërsulmi emocional nuk është zgjidhje, sepse e shndërron një çështje të lirisë së shtypit në sherr personal.

Rruga më e fortë është qetësia, të qenit e vërtetë dhe konkrete. Gazetarja duhet ta sqarojë pretendimin në mënyrë të prerë. Nëse ka qenë në vendin e përmendur për punë, duhet ta shpjegojë kontekstin profesional pa ekspozuar burimet, sepse gazetaria investigative nënkupton takime me njerëz të ndjeshëm, dhe publiku duhet ta dijë këtë. Pastaj duhet ta kthejë barrën aty ku i takon: ta ftojë ish-drejtoreshën t’ua dorëzojë çdo provë organeve kompetente, jo mikrofonave në hyrje të gjykatës.

Në rrafshin juridik, ajo duhet t’i kërkojë vetë SPAK-ut, me vullnet dhe publikisht, të nisë menjëherë verifikimin e pretendimit: a ka pasur ndonjëherë informacion zyrtar mbi takimet e saj, dhe nëse po, si ka dalë ai nga shërbimi. Një gazetare që kërkon të verifikohet vetë nuk ka çfarë të fshehë, dhe këtë e thotë pa pasur nevojë ta thotë. Paralelisht, për dëmin ndaj emrit të saj, rruga është padia civile për dëm jopasuror në gjykatë. Kjo rrugë është më koherente për një gazetare sesa kallëzimi për shpifje, sepse shmang paradoksin e mbrojtjes së fjalës përmes penalizimit të fjalës.

Kjo që analizuam më sipër pra, është sjellja që duhet të mbajë një funksionar publik. Dhe një gazetare mbart me vete doza të funksionit publik, aq më tepër kur quhet Klodiana Lala, një emblemë e gazetarisë investigative sot në Shqipëri. Megjithatë, edhe Klodi duhet ta mbajë këtë standard, me çdo kosto. Interesi publik është më i madh se çdo interes tjetër. Madje, është mirë që pikërisht asaj i ra barra ta vendosë këtë standard, sepse ka besueshmërinë për ta bërë të vlejë edhe për të tjerët.

Një standard për të gjithë

Ky standard duhet vendosur tani. E sollëm këtë analizë me qëllimin që edhe funksionarët e lartë shtetërorë, gjyqtarë, prokurorë, qeveritarë, deputetë, ndërkombëtarë dhe funksionarë të çdo lloji, pra ata që kanë në dorë të procedojnë e të ndëshkojnë të pandehurit me lidhje në shërbimet sekrete, ta mbajnë të njëjtin standard sjelljeje kur të gjenden në shënjestër të së njëjtës strategji.

Që kjo strategji do të përdoret, nga Vlora, nga Agasi apo nga të tjerë, është pak, por e sigurt. Dhe jo domosdoshmërisht në publik, por më shumë në mënyrë okulte: një mesazh i tërthortë, një emër i përmendur si rastësisht, një “e di unë” i thënë aty ku duhet. Shumë prej tyre do të jenë nën trysninë e “dosjeve”. Është mirë të përgatiten që tani, sepse përgjigjja e improvizuar ndaj shantazhit është zakonisht nënshtrimi.

Standardi është i thjeshtë për t’u formuluar dhe i vështirë për t’u mbajtur. Çdo presion, i hapur ose i heshtur, raportohet menjëherë te organi kompetent dhe dokumentohet. Asnjë takim, asnjë kanal i tërthortë, asnjë “mirëkuptim” me atë që kërcënon. Dhe nëse ekziston vërtet diçka që e bën një gjyqtar apo prokuror të cenueshëm, rruga e vetme e ndershme është tërheqja nga çështja, jo vendimi i kushtëzuar. Shantazhi fiton vetëm aty ku shënjestra zgjedh ta menaxhojë vetë, në heshtje.

Çfarë duhet të bëjë SPAK

Prokuroria nuk mund ta trajtojë këtë si thashethem mediatik. Deklarata ka dy lexime, dhe të dyja kërkojnë veprim. Nëse sugjeron zotërim informacioni të klasifikuar, duhet verifikuar nëse ka zbulim të ri të dhënash sekrete. Nëse synon të frikësojë ata që raportojnë për procedimin, duhet vlerësuar nëse sjellja përbën rrezik ndikimi në procedim, pra kriter për rishikimin e masës së sigurisë. SPAK nuk ka nevojë të deklarojë asgjë publikisht. Mjafton të veprojë, dhe veprimi do të jetë mesazhi.

Kjo nuk është vetëm në interes të gazetares dhe të medias së lirë. Është në interesin e vetë prokurorisë. Sepse edhe prokurorët, madje para së gjithash ata, do të jenë nën trysninë e këtij lloji sulmi. Nën të njëjtën trysni do të jenë edhe ata që kanë në dorë karrierën e prokurorëve dhe magjistratëve, qeveritarë e deputetë, deri edhe ndërkombëtarë. Pra të gjithë ata që mund të ushtrojnë presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Një zinxhir shantazhi nuk ka nevojë ta godasë drejtpërdrejt hetuesin. Mjafton të godasë atë që mund ta prekë hetuesin.

Çfarë duhet të bëjë GJKKO

Gjykata duhet të përgatitet për skenarin e graymail-it. Nëse mbrojtja kërkon deklasifikim dokumentesh, ose argumenton se veprimet janë kryer me dijeninë e eprorëve, gjykata duhet t’i trajtojë këto kërkesa me procedura që mbrojnë njëkohësisht të drejtën e mbrojtjes dhe sekretin shtetëror.

Gjykimi nuk mund të zhvillohet nën hijen e rëndë të “dosjeve sekrete”, që do ta autocensuronin këdo. Sekreti duhet mbrojtur. Po ashtu edhe e drejta e mbrojtjes. Por Vlorës, dhe kujtdo tjetër, i duhet hequr nga dora mjeti i shantazhit, edhe jashtë sallës së gjyqit. Kjo bëhet duke bërë transparencë procedurale për çdo aludim apo insinuatë, qoftë gjatë gjykimit, qoftë në media. Çdo pretendim që sugjeron informacion të klasifikuar duhet të marrë një përgjigje procedurale: ose verifikohet, ose shpallet i pabazuar.

Shqipëria nuk ka një ligj të posaçëm si CIPA, por Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni për informacionin e klasifikuar ofrojnë mjete të mjaftueshme, nëse përdoren me vendosmëri. Procesi nuk mund të bëhet peng i asaj që e pandehura thotë se di.

Përfundim

Historia e Hoover-it, e Montesinos-it dhe e dosjeve të SISMI-t tregon se dosja e inteligjencës funksionon vetëm për sa kohë institucionet i trembet. Në çastin kur dikush thotë “trego provën”, dhe kur, në mungesë të saj, institucionet verifikojnë me zell dhe deklarojnë publikisht se prova nuk ekziston, fuqia shantazhuese e dosjes fillon të shpërbëhet.

Pyetja në hyrje të GJKKO-së nuk ishte drejtuar vetëm Klodiana Lalës. Ishte një test për institucionet: a do ta pranojnë që fjala e një ish-shefi inteligjence të vlejë si provë vetëm për shkak të postit që ka mbajtur? Përgjigjja nuk duhet dhënë me zhurmë. Duhet dhënë me procedurë, me prova dhe me qetësinë e një shteti që nuk frikësohet nga sekretet e veta.

Sigurisht, këtu ka një kusht që qëndron si shpata e Damokleut: që zyrtarët përkatës të mos jenë vërtet të përlyer. Që për ta të mos ekzistojë ndonjë dosje që fle në sirtarët e fshehtë të Vlorës. Sepse standardi i qetësisë dhe i transparencës vlen vetëm për atë që nuk ka çfarë të fshehë. Për të tjerët, dosja nuk është insinuatë. Është faturë e papaguar.

Për Klodin e di dhe jam e bindur. Për të tjerët nuk e vë dorën në zjarr./VNA