Ballina Sport Dani Osvaldo në terapi intensive, ish-sulmuesi i Italisë përballet me problem serioz...

Dani Osvaldo në terapi intensive, ish-sulmuesi i Italisë përballet me problem serioz pulmonar

73
0

Ish-sulmuesi i Juventusit, Southamptonit dhe Kombëtares së Italisë, Dani Osvaldo, është shtruar në terapi intensive në Argjentinë, pasi ka zhvilluar një problem serioz pulmonar.

40-vjeçari, i cili është pensionuar nga futbolli, u dërgua me urgjencë në spital të enjten mbrëma, pas disa ditësh me dhimbje të forta në gjoks. Mjekët konfirmuan se ai vuan nga një derdhje pleurale në anën e djathtë.

Osvaldo u dërgua në Spitalin Komunal Llavallol në Lomas de Zamora, pas përkeqësimit të gjendjes së tij. Sipas raportimeve, situata u komplikua nga prania e lëngjeve dhe qelbit në mushkëri, duke bërë që ai të kishte nevojë për ndërhyrje urgjente.

Stafi mjekësor e transferoi menjëherë në repartin e kujdesit intensiv, ku ai vazhdon të jetë në gjendje serioze dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Detajet rreth emergjencës shëndetësore të ish-futbollistit u bënë publike nga gazetari Pepe Ochoa në programin televiziv argjentinas “LAM”, të drejtuar nga Angel de Brito.

“Ai ishte në gjendje shumë të keqe. Kishte disa ditë që ndihej shumë keq; kishte qelb dhe lëngje në mushkëri. I hoqën dy centimetra nga secila mushkëri. Diagnoza është derdhje pleurale në anën e djathtë”, deklaroi Ochoa.

Në emision u raportua gjithashtu se ish-sulmuesi i Boca Juniors po përballej me një krizë të thellë personale, përfshirë vështirësi të mëdha financiare dhe mungesë të sigurimit privat shëndetësor përpara shtrimit emergjent në spital.