Ballina Europë Ukraina drejt legalizimit të pornografisë, nisma e bujshme synon të sjellë miliona...

Ukraina drejt legalizimit të pornografisë, nisma e bujshme synon të sjellë miliona për luftën

103
0

Për vite me radhë, industria e pornografisë në Ukrainë ka funksionuar në mënyrë të paligjshme dhe kryesisht në fshehtësi. Autoritetet shpesh nuk ndërhynin, ndërsa në disa raste zyrtarë akuzohen se kanë përdorur pozicionet e tyre për të kërkuar ryshfet nga personat që merreshin me këtë aktivitet.

Situata ndryshoi pas vitit 2023, kur autoritetet tatimore zbuluan se rreth 8 mijë krijues ukrainas në OnlyFans kishin fituar më shumë se 131 milionë dollarë vetëm gjatë atij viti.

Me Ukrainën që përballet me shpenzime të mëdha për luftën dhe një hendek buxhetor prej rreth 27 miliardë dollarësh, deputetët po përpiqen të heqin dënimet penale për prodhimin e pornografisë mes të rriturve.

Projektligji kaloi leximin e parë në parlament me 231 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime dhe tani pritet të shqyrtohet në leximin e dytë.

Një nga argumentet kryesore të mbështetësve është ekonomik. Sipas bashkëhartuesit të projektligjit, Yaroslav Zhelezniak, legalizimi mund të sjellë rreth 25 milionë dollarë të ardhura nga taksat, të cilat, sipas tij, mund të përdoren edhe për financimin e ushtrisë.

Nisma mori shtysë pasi autoritetet tatimore nisën t’u kërkonin krijuesve të përmbajtjeve për të rritur që të paguanin taksat mbi të ardhurat. Problemi ishte se pagesa e taksave mund të interpretohej njëkohësisht si pranim i një aktiviteti të paligjshëm.

Një prej rasteve është ai i Svitlana Dvornikova, një krijuese me rreth 1 milion ndjekës në OnlyFans. Ajo thotë se pagoi rreth 900 mijë dollarë taksa për vitet e kaluara, por më pas policia kontrolloi banesën e saj dhe atë të prindërve, duke kërkuar pajisje që mund të provonin aktivitetin e saj. Dvornikova tashmë përballet me një çështje penale.

Pas kësaj, ajo nisi një peticion për legalizimin e pornografisë, i cili mblodhi më shumë se 25 mijë firma. Peticioni kontribuoi në nismën për ndryshimin e ligjit.

Ndërkohë, kundërshtarët e projektligjit, mes tyre ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko dhe organizata fetare, paralajmërojnë për rreziqe që lidhen me abuzimin e fëmijëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe ndikimin në moralin e shoqërisë.

Tymoshenko ka paralajmëruar se Ukraina mund të kthehet në një qendër të industrisë pornografike.

Debati zhvillohet në një kohë kur numri i procedimeve penale për pornografi është rritur. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 u hapën 2 368 procedime sipas ligjit që ndalon prodhimin e pornografisë.

Në të njëjtën periudhë, një tjetër skandal nxori në pah problemin e korrupsionit. Tre drejtues policie në rajone të ndryshme u arrestuan nën dyshimin se merrnin deri në 20 mijë dollarë në muaj nga studiot e kamerave dhe përmbajtjeve për të rritur, në këmbim të mbrojtjes nga kontrollet policore.

Mbështetësit e projektligjit argumentojnë se heqja e dënimit penal do t’u mundësonte krijuesve të punonin hapur, të paguanin taksa dhe të mbronin më mirë të drejtat e tyre. Kundërshtarët, nga ana tjetër, kërkojnë që nisma të tërhiqet, duke ngritur shqetësime për pasojat sociale dhe rrezikun e abuzimeve.

Projektligji tashmë ka kaluar leximin e parë dhe pritet të rikthehet në parlament për votimin e radhës.