Ballina Sport Refuzon të luajë kundër Izraelit, Bazunu: Vrasja e të pafajshmëve është e...

Refuzon të luajë kundër Izraelit, Bazunu: Vrasja e të pafajshmëve është e gabuar

42
0

Portieri i Irlandës, Gavin Bazunu, është tërhequr nga grumbullimi i kombëtares dhe ka vendosur të mos luajë në ndeshjen ndaj Izraelit, për shkak të bindjeve të tij personale lidhur me konfliktin dhe vrasjen e civilëve.

Bazunu e bëri të ditur vendimin përmes një deklarate të publikuar në Instagram, duke theksuar se nuk e ka marrë lehtë vendimin për të mos përfaqësuar Irlandën në këtë ndeshje.

“Përfaqësimi i vendit tim do të thotë gjithçka për mua. Kam respektin më të madh për secilin nga shokët e ekipit tim, trajnerin, stafin e tij dhe popullin irlandez. Megjithatë, kam marrë një vendim që nuk e kam marrë lehtë”, u shpreh portieri.

Bazunu, i cili e lidhi vendimin me bindjet e tij personale dhe fetare, tha se nuk dëshiron të marrë pjesë në ndeshjen ndaj Izraelit, pasi e konsideron të gabuar vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

“Jam një njeri me besim të fortë dhe përpiqem të jem një person me karakter dhe parime, prandaj mendoj se do të ishte gabim të merrja pjesë në ndeshjet e ardhshme kundër Izraelit. Vendimi im bazohet thjesht në bindjen time personale se vrasja e njerëzve të pafajshëm është e gabuar”, deklaroi Bazunu.

Portieri irlandez sqaroi se qëndrimi i tij nuk është kundër popullit izraelit apo komunitetit hebre, por lidhet me kundërshtimin e asaj që ai e cilëson si mizori në rajon.

“Është e rëndësishme të theksohet se qëndrimi im nuk është në kundërshtim me popullin izraelit apo komunitetin hebre, por kundër mizorive në rajon. Ka disa raste në jetë kur të jepet një shans për të mbrojtur diçka më të madhe, dhe unë besoj fuqimisht se kjo është një prej tyre”, shtoi ai.

Vendimi i Bazunu shkaktoi diskutime brenda skuadrës irlandeze, ndërsa lojtarët zhvilluan bisedime përpara ndeshjes. Federata Irlandeze e Futbollit konfirmoi më pas se skuadra, me shumicë të konsiderueshme, vendosi të vijojë me zhvillimin e ndeshjes ndaj Izraelit.

Irlanda dhe Izraeli përballen sot në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.