Ballina Opinion Tërbimi i radhës i Edi Ramës në Nju Jork

Tërbimi i radhës i Edi Ramës në Nju Jork

56
0

Nga Ramazan Bekteshi

Autokratit Rama sikur s’i mjafton të mbajë të nënshtruar Shqipërinë dhe të injorojë Kosovën. Ai tani merret me politikë globale, jo për të kontribuuar, por për të degraduar prestigjin tonë ndërkombëtar. Ai nuk ligjëron, por leh me tërbim e grindje, duke kërcëlluar dhëmbët në OKB, në takime dhe studio televizive. Shënjestra e fundit e Ramës është Joe Biden, miku i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve, i cili sot gjendet i sëmurë rëndë. Kjo sjellje e Ramës nuk është tipike shqiptare: të merresh me miqtë e shqiptarëve, sidomos kur ata janë në një gjendje të rëndë shëndetësore.

Ramës s’i intereson se, në kulmin e luftës në Kosovë, Joe Biden bashkë-sponsorizoi me senatorin John McCain Rezolutën S.J. Res. 20, e cila kërkonte përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për objektivat e NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të trupave tokësore. Më 20 prill 1999, Biden tha se Kosova nuk ishte vetëm çështje e Evropës, por edhe çështje amerikane.

Është interesante se në atë kontekst ai përdori termin “Kosovar Albanians”, në vend të thjesht “Kosovars” apo “Kosovans”.

Por Rama, miku i Vuçiqit, bëri edhe një shpifje të radhës që s’besohet: ai akuzoi ish-presidentin Biden në darkën e KMSHA-s në NYC se e “tradhtoi” Thaçin, sikur Biden të ishte përgjegjës për dënimin e tij, i cili, për më tepër, nuk është përfundimtar. Biden jo vetëm që nuk e ka “tradhtuar” Thaçin, por i ka dhënë atij edhe një epitet që ndoshta është tepër i madh për t’u mbajtur mbi supe — “George Ëashington of Kosovo” — edhe pse ky epitet, sipas meje, shumë më tepër i shkon për shtati Ibrahim Rugovës.

Por, kleptokrati Rama, harroi se sa energji ka dhënë miku i tij Soros për ta afruar Ramën me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë. Tani Ramës nuk i duhet më një ish-president që është në gjendje të rëndë shëndetësore; ai, pa asnjë drojë, përdhos emrin e Bidenit në kohë të zymta, ndërsa duket se kërkon pikë te Trumpi. Sikur të mos i mjaftonte marrëdhënia me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushnerin, projektet turistike të Affinity Partners në Sazan dhe Zvërnec, me vlera të paçmueshme, që vazhdojnë të mbrohen nga qeveria e tij, edhe përkundër protestave të gjata jo vetëm mjedisore.

Është po ky Rama që në vitin 2016 në CNN, duke folur për Donald Trumpin, e quante “turpin e qytetërimit” dhe e paraqiste si kërcënim për Amerikën dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Loja e Ramës me standarde të dyfishta i ka kaluar kufijtë e të bërit politikë “inteligjente”, dhe me veprimet e fundit ai po shkon drejtë kurthës që dikur e krijoi për të tjerët.

Derisa Shqipëria është e mbushur me skandale të shumta, SPAK-u duhet të hetojë edhe çështjen e Vlora Hysenit, të hetoj si SHISH-i e fshehu raportin që erdhi nga Kosova për Vlora Hysenin, si u sajua një tjetër raport i falsifikuar, ndërkohë që origjinali nga Kosova ndodhet në arkiv, dhe si iu dha asaj certifikata e sigurisë, edhe pse kryeministri dhe presidenti ishin të njoftuar për falsifikimin e raportit. Por ata nuk ngurruan ta nominojnë dhe e dekretuan, edhe pse ajo ishte larguar nga AKI-ja nga presidentja e Kosovës për shkelje. Si u bë e mundur që Rama ta merrte më pas në gjirin e tij duke e falsifikuar raportin zyrtar te AKI-s?

Rama duhet të japë përgjigje për vjedhja e të dhënave në vitin 2022, si u bë hakerimi i të dhënave të SPAK-ut dhe pse u hesht për skemën me agjentin e FBI-së Charles McGonigal, të cilin Rama e përdori kundër rivalëve politikë. Këto nuk janë pyetje retorike: janë çështje që kërkojnë hetim dhe përgjigje institucionale.

Rama, sa herë që e ka pisk në Shqipëri, konsumon emrin e Thaçit dhe të Kosovës, duke i shndërruar në mburojë të tij. Por, siç duket tani, VH alias “Mata Hari” nga Kosova ia vuri zjarrin kështjellës së të gjitha projekteve të Ramës.

Nëse e kemi studiuar mirë Edi Ramën, ai kritikën e brendshme e shndërron në “komplot”, kundërshtarin në “instrument të të huajve”, ndërsa veten jashtë vendit e paraqet si garant të stabilitetit.

Rama, në fjalimin e fundit në OKB këtë javë, u shiti kombeve moral. “Shkretëtirën” e përdori si metaforë, jo si vend fizik: OKB-në e quajti “shkretëtirë”, ku predikohen mesazhe kur askush nuk dëgjon dhe ku fjalët nuk prodhojnë veprim. Kritika ndaj mosfunksionimit të institucioneve ndërkombëtare është një temë reale, por paradoksi qëndron te autoriteti i folësit: Rama predikon për tema të mëdha si manipulimi masiv, algoritmet dhe propaganda, ndërsa salla ishte e zbrazët.

Pra, Rama mundohet t’u japë kombeve mësim, ndërkohë që vendin e vet e ka shndërruar në një shkretëtirë pa shpresë, që vazhdimisht braktiset nga të rinjtë. Me të gjitha këto shkelje që kane dalë në dritë, në një shtet normal Rama do te duhej te shkonte drejtë në qeli tok me shumë bashkëpunëtorë.