Ballina Aktualitet Maliq/ Kundër investimit të Ujësjellësit, përplasje mes banorëve dhe policisë

Maliq/ Kundër investimit të Ujësjellësit, përplasje mes banorëve dhe policisë

47
0

Për të tretën herë brenda pak muajsh, banorët e Burimasit në Maliq protestuan kundër projektit për furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë.

Protesta ka nisur me bllokimin e rrugës dhe pengimin e mjeteve të Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizime që po punojnë për projektin.

Por situata është tensionuar më tej me ndërhyrjen e policisë, duke sjellë përplasje dhe shtyrje mes efektivëve dhe banorëve.

Gjatë përplasjes, një prej protestuesve ka humbur ndjenjat. Banorët kanë kërkuar ambulancën, ndërsa ai ka deklaruar se gjendja i ishte shkaktuar nga tensioni dhe tashmë ndjehet mire.

Banorët kundërshtojnë marrjen e ujit nga burimi që aktualisht furnizon fshatin Burimas, për ta përcjellë atë drejt Zvezdës.

Ata kërkojnë që për furnizimin e Zvezdës të gjendet një tjetër burim, ndërsa thonë se nuk do të lejojnë ndërhyrjen në skemën që furnizon me ujë fshatin e tyre.

Përplasja me policinë nuk ka ndryshuar qëndrimin e banorëve, të cilët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe kundërshtimin e punimeve.

Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime thotë se projekti është pjesë e një skeme rajonale dhe se nuk do të cenojë ujin e Burimasit.

Sipas Thoma Koroveshit, drejtues i Njësisë së Projektimit pranë Ujësjellësit, depoja e Burimasit me kapacitet 200 metër kub ujë, është ndërtuar fillimisht për furnizimin e Burimasit dhe Ormanit. Pas zgjidhjes së furnizimit të Ormanit përmes një investimi të mëparshëm, kapaciteti i kësaj depoje është parashikuar të përdoret për furnizimin me ujë të Zvezdës.

Por ky shpjegim nuk i ka bindur banorët. Ata këmbëngulin se nuk do të lejojnë marrjen e ujit nga burimi i tyre dhe kërkojnë një zgjidhje tjetër për furnizimin e Zvezdës.

Pas përplasjes me policinë, 3 protestues janë shoqëruar në Komisariatin e Maliqit per shkak të kundërshtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata pritet të japin deklarimet e tyre në komisariat, ndërsa më pas do të vijojnë veprimet procedural ndaj tyre.