Ballina Aktualitet Pasojat e AKSHI-t/ Shqipëria renditet e fundit në rajon për eksportet e...

Pasojat e AKSHI-t/ Shqipëria renditet e fundit në rajon për eksportet e shërbimeve dixhitale

42
0

Ndërsa qeveria shqiptare krenohet shpesh me digjitalizimin e shërbimeve publike dhe shtrirjen e platformave online, një raport i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) nxjerr në dritë një realitet krejt tjetër sa i përket peshës që ka teknologjia në ekonominë reale.

Shqipëria mbetet zyrtarisht në fund të Ballkanit Perëndimor për sa i përket aftësisë për të gjeneruar vlerë ekonomike nga aktivitetet digjitale në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të publikuara në raportin “Economic Convergence Scoreboard 2026”, eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri llogariten në vetëm 0.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2023-2024.

Ndonëse kjo shifër shënon një rritje të lehtë krahasuar me nivelin prej 0.6% të regjistruar në vitet 2020-2022, vendi ynë ndodhet shumë pas fqinjëve tanë rajonalë dhe dritëvitet larg mesatares së Bashkimit Europian.

Gjysmë hapi përpara, kilometra pas fqinjëve
Grafiku i OECD-së tregon një hendek të thellë që ndan Shqipërinë nga pjesa tjetër e rajonit. Ndërkohë që Shqipëria lëngon në kufijtë e më pak se 1% të PBB-së, Serbia udhëheq rajonin me një performancë mbresëlënëse: eksportet e saj TIK kapin vlerën e 4.8% të PBB-së, duke u rreshtuar krah mesatares së vetë Bashkimit Europian (5.1%).

Diferenca është alarmante edhe me vendet më të afërta si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Gjatë viteve të fundit, Kosova ka arritur të dyfishojë eksportet e saj në këtë sektor, duke kërcyer nga 1.5% në 3.1% të PBB-së.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritjen më agresive në rajon, duke arritur në 3.9% të PBB-së për periudhën 2023-2024. Madje edhe Bosnjë-Hercegovina (1.7%) dhe Mali i Zi (2.7%) qëndrojnë dukshëm më lart se Shqipëria.

Pse Shqipëria po mbetet pas?
Raporti i OECD-së nënvizon se rritja e shpejtë e eksporteve digjitale në pjesën tjetër të Ballkanit është mbështetur fuqishëm nga stimujt e targetuar shtetërorë për të tërhequr investime, si dhe nga zhvillimi i infrastrukturës së inovacionit, ku përfshihen parqet teknologjike, qendrat e inovacionit dhe inkubatorët e start-up-eve.

Në rastin e Shqipërisë, pavarësisht ekzistencës së një popullsie të re në moshë, mungesa e një strategjie të integruar për zhvillimin e aftësive të thella digjitale dhe mungesa e mbështetjes konkrete financiare për kompanitë vendase të kodimit dhe zhvillimit të programeve (software) po e mban vendin tonë të izoluar në rolin e një konsumatori të teknologjisë dhe jo të një prodhuesi apo eksportuesi.

Shqipëria po dështon të kthejë kapitalin rinor në një fuqi punëtore të kualifikuar që mund të konkurrojë në ekonominë globale digjitale.

Nëse vendet fqinje po e përdorin sektorin TIK si motorin kryesor të rritjes ekonomike dhe konvergjencës me BE-në, Shqipëria rrezikon të mbetet jashtë këtij treni modernizimi, duke u mjaftuar vetëm me digjitalizimin e brendshëm administrativ, ndërsa paratë e mëdha të industrisë globale të teknologjisë vazhdojnë të shkojnë diku tjetër.

Korrupsioni është gjithmonë arsyeja
Ndonëse Shqipëria ka shpenzuar qindra miliona euro nga buxheti i shtetit për projekte digjitale, këto para nuk u investuan në kërkim dhe zhvillim, inovacione apo parqe teknologjike, siç ndodhi në Kosovë apo Maqedoni të Veriut.

Paratë përfunduan në skema korruptive ryshfetesh dhe faturash fiktive, qendra e të cilave ishte AKSHI, agjencia shtetërore që qeveris sektorin dixhital.

Si pasojë, miliardat e investuara në teknologji prodhuan vetëm sisteme të brendshme administrative (si portali e-Albania), por nuk gjeneruan asnjë vlerë ekonomike apo fuqi eksportuese globale, duke e lënë Shqipërinë të fundit në rajon për eksporte TIK.