Ballina Politika Rama në konferencën me Von der Leyen: Para fundit të vitit nisim...

Rama në konferencën me Von der Leyen: Para fundit të vitit nisim mbylljen e kapitujve për anëtarësimin në BE! Vullnet i hekurt për të çuar përpara procesin

43
0

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian para fundit të këtij viti, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre synohet të mbyllet gjatë vitit të ardhshëm.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama ritheksoi “vullnetin e hekurt” të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit dhe vlerësoi mbështetjen e BE-së përmes Planit të Rritjes.

“Edhe këtë herë, në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj, ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi. Unë dua të konfirmoj edhe një herë, edhe publikisht, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve.

Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe, që është programi i Planit të Rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë. Plani i Rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë, një risi që për rajonin ka ardhur si mbështetje e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por në aspektin e atij që quhet një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit”, tha Rama.