Ballina Ekonomia Kreditë e këqija/ Ligji i ri ngrin borxhet dhe ndalon gjobat e...

Kreditë e këqija/ Ligji i ri ngrin borxhet dhe ndalon gjobat e kompanive të mikrokreditit

79
0

Kompanitë qe blejne kredite e keqija nga bankat ose institucionet e mikrofinances nuk do te kene me te drejte te shtojne kosto, pertej kontrates origjinale.

Një projektligj i ri i Bankës së Shqipërisë synon të ndalë një herë e përgjithmonë eksperiencën e hidhur që qindra mijëra qytetarë shqiptarë përjetuan me grabitqarët MCA dhe FInal.

Projektligji i ri mbi veprimtarinë e institucioneve të mikrokreditit dhe mbikqyrjen e kujdesshmë të tyre, sjell një rregull të prerë: kushdo që blen një kredi të keqe, nuk mund të shtojë asnjë kosto jashtë kontratës origjinale.

Ky ndryshim prek drejtpërdrejt tregun e mikrokredive në Shqipëri, i cili u përfshi nga skandale të mëdha ku mijëra qytetarë ranë pre e skemave të zhvatjes.

Si funksiononte kurthi deri më tani?
Deri më sot, ligji i vjetër kishte një hapësirë të madhe boshe. Kur bankat apo institucionet e mikrokreditit nuk e mblidhnin dot një kredi, ata ia shisnin portofolin kompanive private të mbledhjes së borxheve.

Duke mos pasur kufizime në ligjin bankar, këto kompani i trajtonin klientët sipas rregullave të përgjithshme të Kodit Civil. Në praktikë, ata gjenin borxhe të vjetra dhe fillonin të numëronin gjoba e komisione të reja çdo muaj, duke pretenduar se këto ishin “shpenzime menaxhimi”.

Presioni mbyllej shpesh duke e detyruar qytetarin të firmoste një kontratë të re, ku interesat ishin edhe më të larta, duke e çuar borxhin fillestar në shifra marramendëse që përfundonin me bllokim pagash dhe sekuestro pronash.

Çfarë thotë neni i ri që ndryshon gjithçka?
Sipas nenit 318 të projektligjit të ri, ky shteg abuzimi mbyllet përfundimisht. Rregullat e reja përcaktojnë se kompanitë që blejnë dhe menaxhojnë kreditë me probleme nuk do të kenë më asnjë të drejtë të aplikojnë norma interesi, penalitete apo tarifa më të larta se ato që qytetari kishte firmosur në fillim me bankën e tij, duke e ngrirë faturën e borxhit ekzaktësisht aty ku ka mbetur.

Për më tepër, këto subjekte zhvishen plotësisht nga e drejta për të dhënë kredi të reja apo për të bërë ato që njiheshin si “skema rifreskimi” të kontratave, pasi roli i tyre ligjor tashmë mbetet vetëm mbledhja ose rregullimi me marrëveshje i borxhit zanafillor.

Kreditë e këqija/ Ligji i ri ngrin borxhet dhe ndalon gjobat e

Në të njëjtën kohë, Neni 313 i pret lidhjet edhe me rrjetet e përmbaruesve, duke u ndaluar këtyre kompanive të kalojnë punët e tyre te të tretët, një masë kjo që godet direkt aleancat e fshehura me zyra përmbarimore private që përdoreshin rregullisht për të bërë presion të jashtëligjshëm mbi qytetarët.

Ankesat zgjidhen pa paguar gjyqe
Nëse një kompani borxhesh vazhdon të përdorë skemat e vjetra, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të harxhojnë para dhe vite nëpër gjykata administrative. Neni 342 parashikon krijimin e një njësie të re pranë Bankës së Shqipërisë, të quajtur Zgjidhja Alternative e Mosmarrëveshjeve.

Nëse dikush ka një konflikt për mënyrën se si po i llogaritet borxhi, mund të ankohet falas te kjo njësi. Vendimet e saj janë të shpejta, të paanshme dhe të detyrueshme, duke u kthyer në një mburojë të fortë për konsumatorin.

Me këtë rregullore të re, tregu i mikrokredive pëson një pastrim rrënjësor. Kompanitë e mbledhjes së borxheve nuk do të jenë më “gjobëvënës” që fryjnë llogaritë sipas dëshirës, por thjesht administratorë të asaj vlere që klienti ka pasur detyrim real që në ditën e parë.