Në moshën 78-vjeçare dhe pas 63 sezonesh radhazi në fushë, uellsiani Ken Wright është gjyqtari aktiv i futbollit për meshkuj me karrierën më të gjatë në botë, pasi ka drejtuar mbi 5 000 ndeshje që nga viti 1964.
Karriera e tij nisi rastësisht në moshën 16-vjeçare, kur mësuesi i edukimit fizik i dha një bilbil për të gjykuar një ndeshje shkolle dhe më pas i sugjeroi të merrej me arbitrim, duke parë mungesën e aftësive të tij me topin në këmbë:
“Wrighty, nuk bën për futbollist. Nuk do t’ia dalësh kurrë mbanë.
Pse nuk provon të arbitrosh?”
Debutimi i tij në “Swansea Senior League” rezultoi një makth – ndeshja përfundoi me rezultatin 13–4 mes shiut të rrëmbyeshëm, të ftohtit dhe protestave të lojtarëve – aq sa Wright donte të hiqte dorë menjëherë: “U ktheva në shtëpi krejtësisht i lagur dhe thashë: ‘Epo, karriera ime si arbitër mori fund.’”
Pavarësisht atij debutimi katastrofik, gjyqtari uellsian nuk u ndal kurrë – madje duke gjykuar shtatë ndeshje në gjashtë ditë – dhe, më shumë se gjashtë dekada më vonë, ai vazhdon të dalë në fushë pa asnjë mendim për t’u tërhequr.







