Tensionet jashtë Kuvendit të Kosovës janë shtuar në mbrëmje pasi protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, teksa presin që deputetët t’i kalojnë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Policia e Kosovës ka filluar të hedh gaz lotsjellës drejt protestuesve pasi të njëjtit kanë bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës, për të mos lejuar deputetët që dalin nga ky institucion.
Çlirim Haziri njëri nga organizatorët e protestave, ka thënë se zyrtarët policorë po i nënshtrohen Albin Kurtit. Ai ka përsëritur se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm “mbi trupat e tyre”. Ndërkohë është shtuar numri i forcave të policisë.
Protesta po vazhdon me thirrjet që të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen, derisa është parë shtimi i forcave policore.
Policia ka hedhur lotsjellës nga dy hyrje, përfshirë nga rruga “Agim Ramadani”. Protestuesit kanë vendosur rrethoja të hekurit nga ajo rrugë.
Gjatë ditës protestuesit kanë hedhur edhe mjete piroteknike drejt Kuvendit dhe kanë thyer xhamat. Protestuesit me dhunë kanë kapur edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi dhe e kanë kthyer drejt Kuvendit.
Gjithashtu dhunshëm e kanë kapur edhe ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi drejt Qeverisë së Kosovës. Ai më pas, bashkë më zyrtarët policorë që po e mbronin u sulmua edhe me ujë nga protestuesit.
Ndërkohë nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, nga holli i Kuvendit, i bëri edhe një herë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në sallë për të votuar në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ky nuk është favor. Kjo është detyrë e obligim. Ne jemi këtu dhe nuk do të largohemi”, tha Çitaku.







