Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të hënë në Kryeministri përfaqësinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të vizitës së delegacionit amerikan në Tiranë.
Rama ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi nga takimi, ku shfaqet së bashku me ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, dhe përfaqësuesit e Kongresit amerikan.
“Sot në kopshtin e Kryeministrisë me përfaqësinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara (US CODEL)”, shkruan Rama në postimin e tij, të shoqëruar me flamujt e Shqipërisë dhe SHBA-së.
Vizita e delegacionit amerikan zhvillohet në një moment kur në Tiranë është duke u konsoliduar prania e ambasadorit të ri amerikan Eric Wendt, i cili mori zyrtarisht detyrën më 26 shtator.
Më herët gjatë ditës, delegacioni i Dhomës së Përfaqësuesve, i kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Në fokus ishin forcimi i partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, bashkëpunimi në NATO, siguria rajonale, integrimi europian dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike.
Takimi në Kryeministri vjen gjithashtu në të njëjtën ditë kur ambasadori Wendt zhvilloi një takim me drejtuesit e SPAK-ut, ku u diskutua roli i institucioneve të pavarura në luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm, të cilat janë renditur nga pala amerikane si prioritete të Presidentit Donald Trump.







