Qeveria autorizoi krijimin e një supërndërrmarjeje shtetërore, e cila do të grumbullojë nën ombrellën e saj të gjitha kompanitë publike në proçes likujdimi.
Përmes një vendimi të miratuar një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ligjëroi aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, i cili ndryshon tërësisht rregullat e lojës për asetet dhe pronat publike të mbetura në vend.
Ky institucion i ri do të funksionojë si një monopol i mirëfilltë shtetëror që do të ketë ekskluzivitetin mbi fatin e miliona eurove asete, toka, ndërtesa dhe magazina industriale që dikur u përkisnin ndërmarrjeve shtetërore.
Operatori i ri do të kryejë dy funksione. Së pari do të menaxhojë likujdimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe proçesin e shlyerjes së detyrimeve që ato kanë ndaj të tretëve, por edhe mbledhjen e borxheve që të tretët mund të kenë ndaj tyre.
Së dyti, pas këtij proçesi, ai do të menaxhojë të gjitha pronat e këtyre ndërmarrjeve përmes privatizimit ose dhënies me qira.
“Super-Agjencia”
Deri më sot, kur një ndërmarrje shtetërore hynte në fazë likuidimi, menaxhimi i aseteve dhe shitja e tyre bëhej në mënyrë të ndarë nga likuidatorë të ndryshëm, nën monitorimin e ministrive përkatëse apo bashkive. Ligji i ri e përmbys këtë strukturë.
Me anë të një “transferimi ligjor” të detyruar, sapo kompanitë e vjetra të shkrihen, të gjitha pronat e tyre i kalojnë automatikisht këtij Operatori të ri. Ai kthehet në pronarin, menaxherin dhe vlerësuesin e vetëm të këtij portofoli gjigant pasuror.
Monopoli i privatizimeve
Përqendrimi i të gjitha pronave shtetërore në një zyrë të vetme në Tiranë, nën varësinë direkte të Ministrisë së Ekonomisë, krijon de fakto një nga strukturat më të mëdha të privatizimit të pronës publike.
Në pronësinë dhe përgjegjësinë administruese të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen me dhjetra shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind, të cilat ndodhen prej një periudhe shumëvjeçare në proces likuidimi dhe nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike.
Këto shoqëri vijojnë të ekzistojnë si subjekte juridike kryesisht për qëllime të administrimit të aseteve dhe trajtimit të detyrimeve të mbartura ndër vite. Shoqëritë tregtare që vijojnë të jenë në proces likuidimi përfshijnë, ndër të tjera, “Albbakër” sh.a., “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan– Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. (Durrës), “Superfosfat Kurbin” sh.a dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.
Vlera kontabël e aseteve të këtyre shoqërive, sipas vetë qeverisë, e tejkalon ndjeshëm vlerën e detyrimeve reale të pagueshme për shkak të pronave të mëdha që zotërojnë.
Tashmë këto prona do të administrohen nga operatori i ri, që pritet të kthehet në makinerinë më të madhe të privatizimeve në vend, duke kontrolluar fatin e aseteve që dikur u përkisnin të gjithë qytetarëve./kapital







