Ballina Aktualitet Skandal me Rafinerinë e Cërrikut! Ankandi në KPP, dyshja e ‘Alb Building’...

Skandal me Rafinerinë e Cërrikut! Ankandi në KPP, dyshja e ‘Alb Building’ paguan paratë pa firmosur kontratë

92
0

Skandali i ankandit korruptiv për shitjen e truallit të ish Rafinerisë së Cërrikut ka marrë të tjera përmasa. Kompania Alb Building pagoi paratë e blerjes së truallit të Rafinerisë tek kompania shtetërore në likujdim Petrol Alba, ndërsa proçedura e shitjes ishte në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimeve Publike për shkak të ankimimit të një konkurrenti.

Por skandali nuk ndalet këtu. Ish administratori i Petrol Alba-s, Islam Mana, shkoi më tej dhe i shpenzoi paratë, ndërsa ankandi i shitjes së truallit ishte ende në ankimim. Ky veprim ka shkelur udhëzimet e përbashkëta të Ministrisë së Drejtësisë dhe Financave si dhe ligjin për noterin.

Sipas ligjit, vlera monetare mbahet në llogarinë e noterit deri në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe kalimit të pronësisë. Por Islam Mana dhe Alb Bulding nxituan ta bënin fakt të kryer shitjen duke shkelur disa ligje njëkohësisht sepse kjo ishte mënyra e vetme që fituese e ankandit të shpallej kompania Alb Building.

Ankandi

Kompania Petrol Alba e shpalli ankandin për shitjen e truallit të ish Rafinerisë së Cërrikut në 12 mars 2025. Ankandi parashikonte shitjen e dy pasurive të mëdha tokësore me një sipërfaqe totale prej 48,150 m² truall dhe ndërtesa. Vlera fillestare e përcaktuar nga shteti për këtë sipërfaqe ishte vetëm 31,2 milionë lekë.

Image

 

Në garë u paraqitën katër konkurrentë, ku përfshiheshin shoqëritë tregtare “Alb Building” shpk dhe “DEHA 2010” shpk, si dhe dy kandidatë blerës si individë, z. Gerti Shanaj dhe z. Antion Dollani.

Që në fazën e parë, komisioni i ankandit skualifikoi dy individët dhe hapi vetëm ofertat e kompanive, duke shpallur fitues “Alb Building” shpk me vlerën 35 milionë lekë pa TVSH, çka përkthehet në vlerën e ulët prej vetëm 728.57 lekësh për metër katror truall industrial.

Shanaj paraqiti menjëherë ankesë duke argumentuar se kishte dorëzuar deklaratat e viteve 2022, 2023 dhe 2024, pasi afati i ligjshëm për vitin 2024 mbyllej më 31 mars 2025 dhe ky konsiderohej viti i fundit i mbyllur. Ai pretendoi se komisioni kishte vendosur qëllimisht kritere konfuzuese jashtë ligjit bazë me synimin e vetëm për të përcaktuar fituesin pa garë.

Sipas Ligjit “Për Ankandin Publik”, sapo një konkurrent dorëzon ankesë me shkrim, autoriteti shitës ka detyrimin ligjor të pezullojë menjëherë procedurën derisa ankesa të shqyrtohet plotësisht. Gerti Shanaj e dorëzoi ankesën e tij më 18 mars 2025, por në vend që të ngrinte garën, likuidatori në detyrë i “Petrol Alba”, Islam Mana, ndërmori një sërë hapash të shpejtë brenda të njëjtës ditë, më 20 mars 2025.

Ai nënshkroi formularin e njoftimit të fituesit dhe njoftimin e shpalljes së fituesit për Alb Building, si dhe ia dërgoi shkresat Agjencisë së Prokurimit Publik duke kërkuar publikimin e menjëhershëm në Buletin, gjë që u pasqyrua në Buletinin Nr. 14 të datës 25 mars 2025.

Pak ditë më vonë, Alb Building pagoi paratë dhe Mana shkoi më tutje duke i kaluar nga llogaria e noterit në llogarinë e Petrol Albas dhe më pas i shpenzoi. E gjitha kjo ndërsa KPP kishte marrë vendim sakaq për pezullimin e ankandit. Tashmë çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë.

Hija e Alketa Përnaskës
Islam Mana ishte një likujdator i rëndomtë i shtetit. Ai u emërua si në krye të proçesit të likujdimit të Petrol Albas në qershor të vitit 2024 me firmë të Blendi Gonxhes dhe dyshimet janë se u emërua në këtë post pikërisht për ankandin e truallit të Rafinerisë së Cërrikut.

Image

Nxitimi për ta bërë shitjen fakt të kryer në kundërshtim të plotë me disa ligje njëkohësisht, ishte mënyra e vetme për të shpallur fituese kompaninë Alb Building. Por Islam Mana ishte një punonjës i niveleve të ulëta të shtetit, që nuk mund ta kishte dot këtë guxim.

Një burim nga brenda Petrol Albas i tha Kapitalit se hija që ka lëvizur fijet pas pas gjithë kësaj skeme dyshohet se është Alketa Përnaska, ish sekretarja e Përgjithshme e Gonxhes, e cila sot ka kaluar në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Image

Foto: Alketa Pernaska, ish SP ne ministrine e Ekonomise

Mana ka vepruar nën udhëzimet që merrte nga ministria e Ekonomisë, ndërkohë që Pëllumb Beta dhe Odhise Bersha nxitonin të shtinin në dorë falas dhe me një proçes tërësisht në shkelje të ligjit truallin dhe ndërtesat e ish Rafinerisë. /Kapitali/