Teuta ka mposhtur Skënderbeun, në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të “Abissnet Superiore”.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të durrsakëve.
Dy golat u shënuan në pjesën e parë, me Sherif Kallakun që kaloi vendasit në avantazh nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 16-të, përpara se Pedro të dyfishonte në të 32-tën.
Skënderbeu pati shanset e veta për t’u rikthyer në lojë dhe në minutën e 60-të vjen mundësia e “artë” për të ngushtuar shifrat. Mirëpo, Bismark tregohet i pasaktë duke humbur penalltinë. Edhe pse Zenullari gjen rrugën e rrjetës pasi topi kthehet në zonë, arbitri Jorgji e anuloi për shkak të pozicionit më të avancuar të lojtarit.
Edhe pse me një lojtar më pak në fushë, pas daljes me të kuq të Boçit në minutën e 74-të, Teuta arriti të menaxhojë rezultatin duke dalë nga fusha me tre pikët e plota. Teuta mban kryesimin me 16 pikë, 4 më shumë se Egnatia dhe Dinamo. Ndërsa në anën tjetër, Skënderbeu vijon në “ujëra të turbullt”, vendi i parafundit me 3 pikë.







