Marta Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Do të ishin hap prapa për Kosovën drejt BE-së
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Në një postim në platformën X, Kos ka bërë të ditur se ka zhvilluar një diskutim me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj, lidhur me procesin e integrimit evropian dhe përparimin e vendit në reformat e kërkuara.
Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar rezultate në fushën e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe në procesin e afrimit me Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Megjithatë, Kos ka paralajmëruar se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kenë pasoja negative për rrugën evropiane të Kosovës.
Komisionerja evropiane ka theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore mbeten kushte thelbësore për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Ajo ka nënvizuar se përmbushja e këtyre parimeve është e rëndësishme për përgatitjen e hapave të ardhshëm të vendit në rrugën drejt integrimit evropian.







