Ballina Ekonomia Evazion nën hundën e Tatimeve/ Si u “zhduk” fitimi i minierës së...

Evazion nën hundën e Tatimeve/ Si u “zhduk” fitimi i minierës së Spaçit nga TETE Albania përmes manovrave me kredinë e BKT

67
0

Një investigim bazuar mbi pasqyrat financiare të audituara dhe marrëveshjet noteriale të depozituara pranë autoriteteve shqiptare, zbulon një skemë të pastër të lëvizjes së kapitaleve nga kompania minerare “TETE Albania Tunnel and Mining” Sh.a.

Përmes manovrave të huadhënies ndërmjet kompanive, pasuria nëntokësore e Shqipërisë u la peng dy herë për të financuar nevojat për kesh të aksionarëve turq, duke i shkaktuar shtetit dhe ekonomisë shqiptare humbje miliona eurosh.

Manovra trekëndësh me kredinë 10 milionë dollarëshe
Historia e transferimit të kapitaleve ka zënë fill që në vitin 2020. Kompania mori një kredi prej 10 milionë USD nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri.

Kushtet e kësaj kredie ishin të rrepta: interesi ishte i lartë (USD Libor 12-mujor + 5%, me një dysheme minimale prej 7%), ndërsa si kolateral u vendosën ndërtesat, makineritë dhe vetë leja 20-vjeçare e shfrytëzimit të minierës së Spaçit në Mirditë.

Sapo banka shqiptare disbursoi paratë, “TETE Albania” nuk investoi asnjë qindarkë në terren. Fondet u transferuan menjëherë në Turqi për llogari të shoqërisë mëmë, Ilbak Madencilik Sanayi ve Ticaret A.S., nën premtimin për kërkime gjeologjike jashtë Shqipërisë.

Evazion nën hundën e Tatimeve/ Si u "zhduk" fitimi i

Transaksioni u krye në terren nga administratorët Eyp Batal dhe Hasan Üstündağ. Ky i fundit zotëronte një prokurë të posaçme për të lëvizur fondet bankare të shoqërisë.

Evazion nën hundën e Tatimeve/ Si u "zhduk" fitimi i

Hasan Ustundag

Manovra ishte aq e hapur, sa banka BKT e konsideroi shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, duke e detyruar kompaninë të njihte një penalitet prej 100,000 USD (1%).

Çfarë humbën shqiptarët nga kjo manovër?
Efektet e këtij triangulimi financiar ranë tërësisht mbi kurrizin e ekonomisë dhe shtetit shqiptar. Së pari ky ishte një operacion i pastër i shmangies së taksave dhe erozionit të bazës tatimore.

Sipas kontratës së kredisë, “TETE Albania” duhet të paguante rreth 700,000 USD interesa në vit te banka BKT. Këto interesa regjistroheshin si shpenzime brenda Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, për paratë që u dërguan në Turqi, kompania shqiptare i ngarkoi shoqërisë mëmë një interes qesharak, të bazuar në normën mesatare të Bankës Qendrore të Shqipërisë (rreth 1% ose vetëm 100,000 USD në vit).

Kjo diferencë prej 600,000 USD humbje e pastër financiare çdo vit u zbrit nga fitimet që nxirrte miniera e Spaçit nga shitja e bakrit.

Duke fryrë shpenzimet në Shqipëri dhe duke transferuar fitimet në Turqi, kompania raportoi humbje të mëdha të akumuluara dhe kapital negativ prej 198.5 milionë Lekësh. Si rrjedhojë, shteti shqiptar humbi të drejtën për të mbledhur 15% tatim-fitim mbi vlerën e vërtetë të mineralit të nxjerrë.

Së dyti, ky ishte një operacion i bllokimit të pasurisë kombëtare pa investime reale. Minerali i bakrit në Mirditë është pasuri e patjetërsueshme e Republikës së Shqipërisë. Tete Albania ka vënë peng minierat shqiptare për të marrë borxh para, të cilat nuk investoheshin në këto miniera, por shkonin në Turqi.

Së treti, këto manovra prodhonin vetëm një rezultat. Riskun i lartë për punëtorët lokale dhe furnitorët. Duke e zbrazur llogarinë kesh në Shqipëri, likuiditeti i kompanisë ra në nivele kritike (raporti aktual 0.46), çka do të thotë se kompania kishte vetëm 46 qindarka asete likuide për çdo 1 lek borxh.

Shoqëria është vënë në rrezik real falimentimi dhe u mbajt në punë vetëm nga një “letër mbështetjeje” (support letter) nga Stambolli. Ky pozicion e vendosi në pasiguri absolute fatin e 224 punonjësve shqiptarë dhe dhjetëra bizneseve lokale të transportit e mirëmbajtjes, të cilët mund të mbeteshin pa punë dhe pa u paguar nëse shoqëria mëmë pësonte krizë.

Së katërti, kredia prej 10 milionë USD u mor nga fondet e depozituesve shqiptarë. Duke i nxjerrë paratë jashtë kontrollit të shtetit shqiptar dhe duke thyer kushtet e kontratës, kompania ekspozoi sistemin bankar vendas ndaj një risku të lartë të “kredisë së keqe”.

Ndonëse raportet e fundit tregojnë se kjo hua u shlye përfundimisht më 16 janar 2025, për vite me radhë depozitat e shqiptarëve shërbyen si instrument financimi falas për korporatat turke.

“TETE Albania” dëshmon një praktikë të pastër se si burimet natyrore të Shqipërisë keqpërdoren për lëvizje të kapitaleve jashtë vendit.

Ndërsa punëtorët shqiptarë punonin në nëntokën e Spaçit me rreziqe të larta, miliona dollarë që duhet të taksoheshin dhe të shndërroheshin në investime në Shqipëri, trianguloheshin në Turqi përmes skemave të miratuara nga zyrtarët e lartë të kompanisë./Kapital