Ballina Politika ‘Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën’/ Ish-ministrja e PS:...

‘Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën’/ Ish-ministrja e PS: Kërkesa për largimin e Ramës nuk mund të shpërfillet

73
0

Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi ka reaguar për situatën politike në vend dhe protestat studentore të ditëve të fundit, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike, dialog dhe një zgjidhje serioze të krizës.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Meksi thekson se pakënaqësia qytetare nuk mund të shpërfillet dhe se stabiliteti nuk sigurohet duke heshtur zërat kritikë, por duke adresuar shkaqet që kanë çuar në këtë situatë. Ajo nënvizon se Shqipëria ka nevojë për urtësi dhe guxim politik për t’u përballur me realitetin.

Duke iu referuar kërkesës për largimin e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrja socialiste shprehet se ajo nuk mund të shpërfillet dhe as të shndërrohet në shkak për përplasje të mëtejshme. Sipas saj, kjo kërkesë duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe procedurave demokratike.

Postimi i plotë i ish-ministres Ermelinda Meksi

Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!
Kam pritur të shkruaj, jo sepse nuk kam pasur shqetësim, por sepse në momente të tilla fjalët duhet të peshohen mirë dhe thirrjet duhet të çojnë drejt zgjidhjes, jo drejt përshkallëzimit.

Përvoja shumëvjeçare politike më ka mësuar se asnjë krizë e rëndë nuk zgjidhet duke mohuar problemin, duke shpërfillur pakënaqësinë apo duke vendosur interesa të ngushta mbi interesin e vendit.

Gjatë angazhimit shumëvjeçar në OSBE, jam marrë edhe me rëndësinë e adresimit të korrupsionit, për të parandaluar që pakënaqësia e akumuluar të kthehet në revoltë që cenon stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Kjo përvojë më ka bindur se stabiliteti i qëndrueshëm nuk sigurohet duke heshtur pakënaqësinë, por duke adresuar shkaqet e saj.
Shqipëria ka nevojë për urtësi, përgjegjësi dhe një zgjidhje politike serioze. Kur besimi te qeverisja është tronditur dhe zemërimi qytetar është kaq i dukshëm, nuk mjaftojnë deklaratat dhe formulat e zakonshme. Nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit.

Përvoja në politikë më ka mësuar se forumet politike kanë vlerë kur krijojnë hapësirë për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Në momente të vështira, një forcë politike duhet të ketë kurajën të dëgjojë edhe zërat kritikë, të vlerësojë situatën pa paragjykime dhe të vendosë interesin e vendit mbi çdo konsideratë tjetër.
Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike. Është koha që drejtuesit politikë të shqyrtojnë me seriozitet mundësitë për një zgjidhje që qetëson situatën, garanton funksionimin e institucioneve dhe ndihmon në rikthimin e besimit.

U bëj thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të marrin përgjegjësinë që kërkon ky moment.
Hapni një proces të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen me sinqeritet rrugët e mundshme të daljes nga kriza.

Dhuna nuk është zgjidhje. Por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit nuk sjell paqe. Duhen shmangur provokimet, mbrojtur protesta paqësore dhe mos lejuar që kriza politike të kthehet në një plagë edhe më të thellë shoqërore.

Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti. Asnjë pushtet nuk vlen më shumë se paqja sociale, dinjiteti i qytetarëve dhe e ardhmja e vendit.

Është koha që politika të tregojë urtësi, jo duke fituar kohë, por duke gjetur zgjidhje. Përgjegjësia politike matet jo vetëm me mënyrën si fitohet pushteti, por edhe me guximin për të vepruar kur interesi i vendit e kërkon.

Le të mbizotërojnë urtësia dhe përgjegjësia ndaj Shqipërisë!