Nga Lutfi Dervishi
PPP -ja që po rrëzon pushtetin, Policia, Propaganda, Papërgjegjshmëria
1. Policia. Me ndërhyrjet e dhunshme ndaj të rinjve, gjatë protestave dhe jashtë tyre. Që nga dita e parë, veprimet joprofesionale të policisë i kanë hedh benzinë zjarrit. Veçanërisht shqetësuese janë pamjet e personave civilë, me maska, që ndërhyjnë ndaj qytetarëve dhe të rinjve. Nëse janë punonjës policie, pse thyejne ligjin? Pamjet të kujtojnë praktikat e tontonmakutëve, jo standardet e një policie të një vendi që sapo mbylli kapitullin e 20 të negociarave me BE .
2. Propaganda. Pas pamjeve të dhunës policore, makineria e propagandës u vu në lëvizje. Në vend të shpjegimeve për ndërhyrjet që indinjuan këdo, publikut iu servirën video ku policët shfaqeshin duke orientuar turistët dhe ndihmuar qytetarët. A thua se pamjet e një polici që i tregon rrugën një turisti mund të fshijnë pamjet e 10 policëve që goditen si të çmendur një turist tjetër në qendër të Tiranës.
3. Papërgjegjshmëria. Filozofia e pushtetit është: “ne bëjmë çfarë të duam. Ju protestoni sa të doni, edhe gjithë jetën po të doni. Ne prapë do të bëjmë çfarë të duam!”
Kjo është logjika e një pushteti që e konsideron votën si çek të bardhë për katër vjet dhe protestën si një bezdi që duhet duruar derisa, “edhe kjo do të kalojë”
Kur protestës paqësore i përgjigjesh me indiferencë, zemërimit me polici dhe dhunës me propagandë, rrezikon të mos kontrollosh dot më atë që ndodh.






