Ballina Kulturë Kristina Kumi – Nëna e përjetshme e jetimëve, misionarja e heshtur e...

Kristina Kumi – Nëna e përjetshme e jetimëve, misionarja e heshtur e dashurisë dhe e dhimbjes njerëzore

67
0

Nga Ilir Çumani 

Në kujtesën time, ka njerëz që kur largohen nga kjo botë, nuk lënë pas vetëm kujtimin e tyre, por një jetë të tërë mirësie, dashurie dhe përkushtimi, të cilat vazhdojnë të jetojnë në zemrat e atyre që patën fatin t’i njohin.

E tillë ishte e shtrenjta Nënë Kristina Kumi, e cila u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare, në Athinë të Greqisë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar njerëzore dhe një vend të pazëvendësueshëm në kujtesën e qindra fëmijëve pa familje dhe pa kujdesin prindëror, por që u rritën me shumë dashuri e dhembshuri nën kujdesin e saj.

Vepra dhe puna e saj në shërbim të jetëve të pambrojtura, nuk ka nevojë për ofiqe e grada,  as për tituj të bujshëm dhe lavdi publike për të merituar nderimin e një shoqërie të tërë.

Mjafton dashuria e madhe dhe pa kushte që u ka falur qindra femijëve jetim, që i rriti dhe i edukoi me aq me aq pasion, dashuri dhe përkushtim.

E tillë ishte Kristina Kumi, mësuesja e nderuar, edukatorja e përkushtuar dhe humanistja e rrallë, të cilën ne, ish-fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, e thërrisnim me dashuri e përmallim: Nënë Kristina.

Sot, teksa mësojmë lajmin e ndarjes së saj nga jeta, dhimbja për humbjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme përzihet me mirënjohjen e thellë për gjithçka na dha.

Kristina Kumi nuk ishte thjesht një mësuese që përmbushte detyrën e saj. Ajo ishte shumë më tepër: ishte ngrohtësia e një nëne për fëmijët që jeta i kishte privuar nga përqafimi prindëror; ishte dora e butë që na udhëhiqte, fjala e urtë që na qetësonte, përkujdesja që na jepte siguri dhe dashuria që na ndihmonte të besonim sërish te jeta.

Portreti i saj, me shtatin e vogël e të brishtë, me fytyrën e qetë dhe vështrimin e dhembshur, do të mbetet i paharruar në kujtesën time.

Pas asaj pamjeje të thjeshtë e modeste fshihej një shpirt i madh, një vullnet i pashtershëm dhe një zemër që dukej sikur kishte vend për të gjithë fëmijët e botës.

Ajo mishëronte në mënyrën më të bukur dhe kaq të natyrshme virtytet e një gruaje fisnike: dashurinë, përulësinë, durimin, bujarinë, përgjegjësinë dhe dhembshurinë e pakushtëzuar për njeriun.

Përreth njëzet vjet, në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë, Kristina Kumi ia kushtoi jetën e saj edukimit, mirërritjes dhe formimit të fëmijëve jetimë.

Për të, kjo nuk ishte thjesht një detyrë në punën e saj  të përditshme, por një mision i shenjtë njerëzor, të cilin e përmbushi me një përkushtim që i kapërcente shumëfish kufijtë e profesionit.

Dita e saj niste herët në mëngjes. Kujdesej për zgjimin e fëmijëve, higjienën, veshjen, ushqimin dhe përgatitjen e tyre për në shkollë.

Në mesditë i priste sërish, u shtronte tryezën, interesohej për ditën e tyre, i ndihmonte në mësime dhe kujdesej për çdo nevojë të vogël a të madhe.

Mbrëmjeve, pasi përgatiste darkën dhe i përcillte drejt shtretërve, ajo largohej e lodhur, por me mendjen gjithnjë te fëmijët.

Madje, edhe kur ndonjëri prej tyre sëmurej, Nënë Kristina shpesh zgjidhte të qëndronte pranë shtratit të fëmijës gjatë gjithë natës. Në ato çaste, për të nuk kishte rëndësi lodhja, ora apo detyrimet e tjera. Një fëmijë kishte nevojë për të dhe kjo mjaftonte.

Në shtëpinë e saj e prisnin bashkëshorti, Koçoja, dhe dy djemtë, Gligori e Vironi. Megjithatë, dashuria që ajo u kushtonte fëmijëve të institucionit nuk ishte kurrë dashuri e pjesshme apo e detyruar, por një dashuri që buronte natyrshëm nga shpirti i saj, një ndjenjë e pastër mëmësore që nuk njihte dallime dhe nuk kërkonte shpërblim.

Ajo dinte të kuptonte dhimbjet që fëmijët shpesh nuk arrinin t’i shprehnin me fjalë. E dinte se pas heshtjes së tyre mund të fshihej një plagë, pas një sjelljeje të vështirë mund të qëndronte një mungesë e madhe dhe pas një buzëqeshjeje të brishtë mund të fshihej një botë e trazuar.

Prandaj, përveç mësimit dhe edukimit, ajo u ofronte diçka edhe më të rëndësishme: ndjenjën se femijët jetim  nuk ishin vetëm.

Me durim e përkushtim, ajo punonte veçmas me secilin fëmijë, duke u mësuar jo vetëm dijet e shkollës, por edhe mjeshtërinë e jetës.

Sidomos vajzave të rritura u mësonte të kujdeseshin për veten, të mbanin higjienën personale, të gatuanin, të qepnin e të qëndisnin, të kryenin punët e përditshme dhe të përgatiteshin për një jetë të pavarur.

Por mësimi i saj më i madh nuk gjendej në asnjë tekst shkollor. Ajo na mësonte të besonim te vetja, të mos dorëzoheshim përballë vështirësive dhe të mos e konsideronim të kaluarën tonë si një pengesë të pakapërcyeshme për të ardhmen.

Përpiqej të na ndihmonte të kapërcenim pasiguritë dhe plagët e braktisjes, duke kultivuar tek ne iniciativën, vetëbesimin, vetveprimit dhe aftësinë për të ndërtuar jetën me forcat tona.

Pikërisht këtu qëndron madhështia e saj: Nënë Kristina nuk u përpoq vetëm të na rriste, por më së shumti të na përgatiste për të jetuar me dinjitet.

Përkujdesja e saj nuk mbaronte kur fëmijët përfundonin ciklin e shkollës tetëvjeçare dhe largoheshin nga Shtëpia e Fëmijës për të vazhduar studimet. Përkundrazi, lidhja e saj me ta bëhej edhe më e fortë.

Përmes letrave dhe korrespondencave të rregullta, ajo ndiqte hap pas hapi rrugëtimin e secilit, interesohej për mbarëvajtjen në shkollë, për sukseset dhe vështirësitë, për ëndrrat dhe shqetësimet.

Dhe kur studimet përfundonin, ajo nuk e konsideronte misionin e saj të përmbushur. Përpiqej t’i ndihmonte të sistemoheshin me strehim e punë, të fitonin pavarësinë ekonomike dhe të nisnin jetën si gjithë të tjerët.

Trokitja e saj në dyert e zyrave të administratës së kohës ishte një tjetër dëshmi e përkushtimit të saj të jashtëzakonshëm.

Ajo shkonte e kërkonte mundësi për secilin, duke i paraqitur jo thjesht si ish-fëmijë të një institucioni, por si bijtë dhe bijat e saj, të rinj që kishin mbaruar shkollën, kishin fituar një profesion dhe meritonin mundësinë për të ndërtuar të ardhmen.

Në zemrën e Nënë Kristinës, asnjëri prej nesh nuk ishte një emër i harruar apo një histori e përfunduar. Ne ishim dhe mbetëm fëmijët e saj.

Ajo merrte pjesë në gëzimet tona, në ditëlindje, fejesa e dasma. Kur krijonim familjet tona, ajo gjendej pranë nesh, duke marrë natyrshëm rolin e nënës.

Donte që askush të mos ndihej i përulur apo i mangët për shkak të mungesës së prindërve. Donte që secili prej nesh të hynte në jetën e re me kokën lart, me dinjitet dhe me besimin se e meritonte lumturinë, ashtu si çdo njeri tjetër.

Sa shumë dashuri fshihej pas këtyre gjesteve të thjeshta! Sa shumë dinjitet njerëzor ndërtohej nëpërmjet tyre!

Vitet kaluan. Ne u rritëm, u arsimuam, morëm profesione, krijuam familjet tona dhe u bëmë prindër. Shumë prej nesh u bënë mësues, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, arkitektë, jurist e profesionistë të fushave të ndryshme.

Jeta na shpërndau në drejtime të ndryshme, por asnjë largësi dhe asnjë ndryshim i kohëve nuk arriti ta shkëpuste fillin që na lidhte me të.

Edhe kur, prej dekadash, jetonte në Athinë të Greqisë, Nënë Kristina nuk i ndërpreu kurrëbkontaktet me ne. Me kujtesën e saj të admirueshme, ajo vazhdonte të na mbante të gjithëve në zemrën e saj. Interesohej për hallet, shëndetin, familjet dhe fëmijët tanë; gëzohej për sukseset tona dhe trishtohej kur mësonte për vështirësitë që kalonim.

Ishte një kujdes që nuk i përkiste më detyrës, profesionit apo ndonjë përgjegjësie institucionale. Ishte dashuria e pastër e një nëne që nuk e kishte njohur kurrë kufirin e mëmësisë së saj.

Për ne, ajo nuk ishte vetëm gruaja që na rriti, por gruaja zemërdhembshur që vazhdoi të na donte edhe shumë kohë pasi ishim rritur.

Jeta dhe vepra e Kristina Kumit përbëjnë një histori të jashtëzakonshme humanizmi, të shkruar jo me fjalë të mëdha, por me mijëra veprime të vogla e të përditshme.

Një histori që nuk pati nevojë për bujë, reklama apo duartrokitje, sepse dëshmitarët e saj më të vërtetë ishin vetë fëmijët, të cilëve ajo u dha dashuri, shpresë dhe mundësinë për të besuar te jeta.

Në këtë kuptim, figura e saj më sjell ndër mend Shën Terezën, jo për nga përmasat e njohjes publike, por për nga thelbi i misionit njerëzor: përkushtimin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për dashuri, përkujdesje dhe dinjitet. Të dyja na kujtojnë se madhështia e vërtetë e njeriut nuk matet me atë që merr nga bota, por me atë që është në gjendje t’u japë të tjerëve.

Kristina Kumi dha shumë nga vetja e saj; kohën, energjitë, durimin, dijet dhe përvojën. Dha ngrohtësinë e një shtëpie, sigurinë e një familjeje dhe besimin se, pavarësisht plagëve të së kaluarës, jeta mund të jetë e bukur dhe e denjë për t’u jetuar.

Në një shoqëri ku shpeshherë vlerat njerëzore mbeten në hije dhe ku zhurma e përditshme rrezikon të na bëjë të harrojmë kuptimin e vërtetë të dhembshurisë, jeta e saj mbetet një mësim i vyer.

Ajo na kujton se nuk nevojiten domosdoshmërisht vepra madhështore për të ndryshuar botën. Ndonjëherë mjafton të mos e lësh një fëmijë të ndihet i braktisur, t’i japësh dorën kur ka frikë, ta përkëdhelësh dhe ta dëgjosh kur vuan dhe t’i qëndrosh pranë derisa të gjejë forcën për të ecur vetë.

Kështu, pa pretenduar asgjë për veten, Kristina Kumi u bë një nga ato figura që e nderojnë arsimin shqiptar jo vetëm përmes profesionit të mësueses dhe edukatores, por mbi të gjitha përmes dimensionit të tyre të thellë njerëzor.

Ajo na mësoi se edukimi nuk është vetëm formim intelektual, por edhe formim i shpirtit; se një mësues i vërtetë nuk përgatit vetëm nxënës për jetën, por ndihmon të formohen njerëz që dinë të duan, të respektojnë dhe të përballojnë me dinjitet sfidat e saj.

Sot, në moshën 93-vjeçare, Nënë Kristina është larguar nga kjo botë. Por a mund të quhet vërtet e ikur një grua që vazhdon të jetojë në zemrat e kaq shumë njerëzve?

A mund të mbyllet me vdekjen e saj një histori dashurie që është bërë pjesë e jetës së qindra fëmijëve dhe e familjeve që ata krijuan?

Asesi Jo!

Disa njerëz nuk largohen plotësisht, sepse mbeten në kujtimet tona, në fjalët që na mësuan, në vlerat që na përcollën dhe në mënyrën se si ne, tashmë të rritur, përpiqemi t’i trajtojmë të tjerët. Ata vazhdojnë të jetojnë në çdo gjest mirësie që kemi mësuar prej tyre, në çdo dorë që shtrijmë drejt dikujt në nevojë dhe në çdo fëmijë të cilit i japim shpresë.

Kjo është pavdekësia e vërtetë e Nënë Kristinës.

Dhe, ndërsa sot zemrat tona janë të mbushura me dhimbjen e ndarjes, mbi të gjitha ndiejmë mirënjohje.

Mirënjohje për vitet që na kushtoi. Për netët pa gjumë. Për shqetësimet që mbajti në heshtje. Për përqafimet, këshillat, kujdesin dhe dashurinë që nuk na i kurseu kurrë. Për dinjitetin që na mësoi të ruanim dhe për besimin që na ndihmoi të ndërtonim jetën tonë.

E shtrenjta NËNË!

Sot, kur ti ke nisur udhëtimin tënd të fundit, ne, fëmijët e tu të dikurshëm, tashmë burra e gra, nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër, përulemi me respekt e dashuri përpara kujtimit tënd.

Ndoshta nuk arritëm të ta shprehnim gjithmonë sa shumë vleje për ne. Mbase nuk gjetëm edhe fjalët e duhura për të të treguar se sa thellë ishe rrënjosur në qenien tonë. Por sot, në këtë çast lamtumire, duam ta themi me zë të lartë atë që zemrat tona e kanë ndier gjithmonë:

FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE PAFUND!

Faleminderit që ishe nëna jonë atëherë kur jeta na kishte lënë pa të.

Faleminderit që na mësove të ecim me kokën lart, të mos dorëzohemi përballë vështirësive dhe të mos e humbim besimin te mirësia njerëzore.

Faleminderit që na dhe jo vetëm dije e edukatë, por edhe diçka shumë më të çmuar: ndjenjën se ishim të dashur, se kishim vlerë dhe se meritonim një të ardhme të bukur.

Ti u largove nga jeta, por nuk do të largohesh kurrë nga ne.

Emri yt do të mbetet i gjallë në kujtesën tonë. Figura jote do të na shoqërojë në rrugëtimin e jetës. Dashuria jote do të vazhdojë të na ngrohë edhe kur vitet të kalojnë dhe kujtimet të marrin ngjyrat e largësisë.

Dhe sa herë që dikush prej nesh do t’i zgjasë dorën një njeriu në nevojë, sa herë që një prind do të përqafojë fëmijën e vet me dhembshuri, sa herë që një mësues do të zgjedhë të bëjë më shumë se detyra që i kërkohet, aty do të ketë diçka nga shpirti yt i madh.

Ti ishe dhe do të mbetesh NËNA E PËRJETSHME E JETIMËVE.

U prehsh në paqen e amshuar SHEJNTORE e MIRËSISË dhe e HUMANIZMIT.

Qoftë i lehtë dheu që të mbulon.

Qoftë i bekuar kujtimi yt.

I përjetshëm qoftë emri yt në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin të rriteshin, të mësoheshin dhe të jetonin nën dritën e dashurisë sate.

LAMTUMIRË,

TI, rrezja e shpresës së pashuar, pjesëza e mirësisë në këtë botë, që, për fatin e keq, po varfërohet dita-ditës