Ballina Bota Zjarr në një nga bazat më të mëdha ushtarake të Kanadasë, raportohet...

Zjarr në një nga bazat më të mëdha ushtarake të Kanadasë, raportohet për viktima dhe të plagosur

44
0

Një zjarr i madh ka përfshirë bazën ushtarake kanadeze në Wainwright, në provincën e Albertës, ku ka persona të vdekur dhe të plagosur, bëri të ditur ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ngjarja ndodhi në një nga bazat e rëndësishme të Forcave të Armatosura Kanadeze. Ministri McGuinty konfirmoi se incidenti ka shkaktuar viktima, por nuk bëri të ditur numrin e saktë të personave që kanë humbur jetën apo janë lënduar.

“Më vjen keq të njoftoj se ka pasur vdekje dhe lëndime si pasojë e një incidenti”, deklaroi McGuinty para gazetarëve në kryeqytetin Ottawa, duke e cilësuar ngjarjen si tragjike.

Sipas deklaratave të ministrit, zjarri vazhdonte të ishte aktiv edhe të shtunën në mbrëmje. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për shkaqet e incidentit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Në zbardhjen e rrethanave janë angazhuar ushtria kanadeze dhe Policia Mbretërore Kanadeze e Kalëruar (RCMP).

Ndërkohë, kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se qeveria federale po bashkëpunon ngushtë me qeverinë e Albertës dhe autoritetet lokale për menaxhimin e situatës.

Autoritetet pritet të japin informacione të mëtejshme për viktimat dhe shkaqet e zjarrit, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta.