Prof. Dr. Enver Bytyçi
Prej ditës së djeshme, e shtunë 17 tetor (2026), e deri në këtë moment që po shkruaj, kanë kaluar gati 24 orë. Dje ishte kulmi i një dhune shtazore të shtetit të Edi Ramës kundër rinisë dhe studentëve të revoltuar në Tiranë. Edhe nëse do ta merrnim të saktë propagandën komuniste të 4 shkurtit 1944, dita e djeshme ishte një shumfish i atij katër shkurti. Vërtet dje nuk pati viktima! Ose pati dhe ende nuk i njohim ato, sepse regjimet të varrosin shtatë pash nën tokë për të fshehur gjurmët e krimit të tyre. Por dëmi që u është bërë të rinjve dhe studentëve ditën e djeshme është i paimagjinueshëm. Nuk dihet sa gazlotsjellës është harxhuar kundër tyre. Nuk dihet sa plumba gome kanë rënë në trupat e protestuesve. Kemi parë, si kurrë ndonjëherë, që policë me skafandra t’i gjuajnë me gurë të rinjtë në bulevard.
Janë kapur 14-15 vjeçarë dhe pasi kanë rënë në duart e policëve, janë janë rrahur e torturuar, janë masakruar deri në gjymtim. Terrori i djeshëm, pra i së shtunës së zezë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri e as në ndonjë vend tjetër. Nuk e kanë çuar deri në këtë ekstrem terrorin e tyre as fashistët e as komunistët nën diktaturë. Të masakrosh kolektivisht qindra dhe mijëra të rinj e të reja, si dje, nuk ka ndodhur kurrë. Dhe e dini çka? E gjitha ndodhi, sepse kreu i organizatës kriminale në krye të qeverisë shqiptare ashtu urdhëroi. Pastaj, të nesërmen në mëngjes bëri viktimën ose “babaxhanin”!
Ajo që ka ndodhur nuk zhbëhet tashmë. E pamë me trishtim, e hëngrëm si bukë më djathë dhe tani presim masakrën e radhës. Pamjet e tmerrshme i transmetuan mediet e huaja, agjencitrë e lajmeve, televizionet dhe gazetat më të mëdha të botës. Kundër kësaj dhune reaguan në kohë rekord katër kongresmenë amerikanë, midis të cilëve Joe Ëilson, kryetar i Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Kongres. Me siguri që edhe kancelari austriak i kërkoi Edi Ramës të tërhiqej nga vizita e planifikuar e tij në Vjenë për të hënën, pavarësisht se Rama thoshte se e anuloi këtë vizitë. Por nuk reagoi askush nga Komisioni Europian. Ursulla von der Leyen erdhi para pak javësh për vizitë në Tiranë dhe injoroi protestën gati pesë mujore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U bë palë më Edi Ramën kundër protestës. Nuk foli as për dhunën e së shtunës kundër protestuesve. Hshti e madje nuk këshilloi as zëdhënësin e saj të thoshte një fjalë dënimi për çka ndodhi. “Ka dhëmballën sëmurë”!
Nuk reagoi askush nga zyrat e burokracisë së BE-së. Nuk pritej që të reagonte “e dashura” e kryeministrit të Shqipërisë, Marta Koss. Dhunën kundër rinisë dhe studentëve shqiptarë nuk e ka parë as zyra e BE-së në Tiranë. Edhe kjo zyrë ka heshtur. Çfarë po ndodh? Nuk shohin, nuk dëgjojnë as sirenat alarmuese të makinave që BE ia ka dhënë falas policisë shqiptare, apo u ka dhënë Edi Rama dyll për veshët dhe syze të errëta ose jeshile për sytë?! Kryeministri në çdo dalje publike u thotë shqiptarëve se “Unë ushtroj dhunë kundër studentëve për shkak të interesit madhor të integrimit të Shqipërisë në BE”! Kush do t’i vazhdojë negociatat, tha ai, nëse jap dorëheqjen?! Mjafton kjo frazë që Brukseli të reagonte dhe të demantonte konceptin diktatorial të një lidershipi si ky i Edi Ramës. Nëse në BE dhe sidomos në Komisionin Europian, e pranojnë këtë lloj diskursi, atëherë më rezulton se ky komision mbështet diktaturën në Shqipëri. Së paku mos të na hapin barkun me rrenën e madhe të demokracisë europiane.
Se Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian e të tjerë në Bruksel e dinë që po mbrojnë një diktator si Edi Rama, kjo nuk ka më asnjë lloj diskutimi dhe dyshimi. Por pse po ndodh kjo? Pikërisht kjo pyetje kërkon përgjigjen e saj. Përgjigja për mua është e qartë. Shkaku është dylli në veshë i shoqëruar me qumësht blete. Dhe shkaku tjetër janë syzet jeshile, që gomarit t’i duket kashta si bar!







