Greqia përgatitet për një protestë të madhe në arsim më 21 tetor, kur mësues, nxënës dhe studentë pritet të dalin në rrugë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete, rritjen e financimit publik dhe paga më të mira për mësuesit.
Federata Greke e Mësuesve (DOE) ka shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa organizatat e arsimit të mesëm kanë njoftuar ndërprerje të punës dhe pjesëmarrje në tubime. Protestat janë planifikuar në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera të vendit.
Në qendër të kërkesave janë mungesa e mësuesve, klasat e mbipopulluara, infrastruktura e amortizuar, pagat e ulëta dhe financimi i pamjaftueshëm i arsimit publik.
Në Athinë, tubimi kryesor është njoftuar për në orën 12:00, ndërsa në Selanik protestuesit do të mblidhen në orën 11:30.
Mobilizimi vjen pas protestës së studentëve grekë më 13 tetor, kur të rinjtë ngritën çadra pranë Parlamentit në Athinë, duke kundërshtuar rritjen e qirave, kostot e studimit dhe vështirësitë ekonomike. Ata shprehën solidaritet edhe me lëvizjet studentore në Francë dhe Spanjë.
Kështu, ndërsa Shqipëria përballet me protesta të vazhdueshme studentore dhe qytetare, edhe në Greqi pakënaqësitë për arsimin dhe koston e jetesës po shndërrohen në mobilizime publike.







